Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës hyn sot në ditën e 109-të, me qytetarët dhe aktivistët që pritet të mblidhen sërish në Tiranë për të vijuar atë që e kanë cilësuar si revoltë të pandërprerë.
Tubimi i sotëm vjen pas një dite të ngarkuar protestash në kryeqytet. Në ditën e 108-të, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas marshuan nëpër rrugët e Tiranës, me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës.
“Shqipëria po bën revolucion”, “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”, “Ju erdhi fundi” dhe “Arrestoni Ramën” ishin disa prej thirrjeve që shoqëruan marshimin.
Protestuesit iu drejtuan gjithashtu SPAK-ut, duke kërkuar vijimin e hetimeve dhe arrestimeve ndaj zyrtarëve të lartë. Aktivisti Arben Kola përmendi kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun, ndërsa deklaroi se presioni qytetar duhet të vazhdojë.
“Veliaj në qeli dhe shqiptarët të lirë. Radhën e ka Rama me Belinda Ballukun. Ju ftoj çdo ditë në shesh të rrisim presionin popullor”, deklaroi Kola.
Protesta e së martës nuk qëndroi vetëm para Kryeministrisë. Pas marshimit në kryeqytet, pjesëmarrësit u drejtuan te Blloku i Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku kërkuan lirimin e protestuesve të ndaluar.
“Nuk jeni vetëm”, “Lironi shqipet” dhe “Gjithë Shqipëria është me ju”, ishin thirrjet e tyre para ambienteve ku mbahen të ndaluarit.
Ndërkohë, dita e 109-të pritet të shërbejë edhe si pararendëse e protestës së paralajmëruar për të enjten. Nga tubimi i një dite më parë u bë thirrje që qytetarët të mblidhen në orën 10:00 para Parlamentit, në kohën kur Kuvendi do të zhvillojë punimet.
“Do të jemi të gjithë të enjten në orën 10:00 te Parlamenti”, ishte thirrja e bërë nga protestuesit, të cilët kanë paralajmëruar se aksioni nuk do të ndalet vetëm te tubimet e përditshme para Kryeministrisë.



