Kryeministri Edi Rama mori pjesë në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku u diskutua për ngjarjet e fundit dhe nevojën për një plan të përbashkët veprimi me Shoqërinë Civile dhe institucionet partnere ndërkombëtare.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, dhuna është paraqitur në publik, duke u shoqëruar me keqinformim dhe keqedukim.
“Jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese, të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje që është për të gjitha demokracitë, që është dhuna.
Kemi parë sesi është relativizuar, sesi është justifikuar dhe himnizuar. Kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues, duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që të gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe të drejtës së gjithkujt për të pasur një qëndrim ndryshe, për të qëndruar dhe për të bërë mësim, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem.
Kjo është natyrisht e lehtë të ekspozohet dhe kritikohet, por nëse mbetemi te ekspozimi dhe kritika, do ta kemi përpara në forma dhe në momente nga më të ndryshmet si një mjet të ri të adoptuar nga shoqëria, që pastaj mund të përdoret individualisht nga secili.
Mund të kthehet në një mjet që mund të përdoret nga nxënësit, dhuna kundër pedagogut, kundër universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes.
Befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër dhe tejet shqetësuese, për shkak të pranisë së shumë të miturve. Para se t’i konsiderojmë fajtorë, duhet të mendojmë se janë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Si duhen neutralizuar burimet prej nga ata ushqehen me frymën dhe nxitjen e dhunës?”, tha Rama.



