Safit Zeqiri
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 në Republikën e Maqedonisë së Veriut u panë si një test i rëndësishëm për maturinë demokratike të vendit dhe për aftësinë e forcave politike që të ofrojnë një frymë të re në qeverisje. Rezultatet treguan zhvendosje të dukshme në disa komuna, por pyetja kryesore mbetet: a do të pasojnë ndryshime reale, apo vendi do të vazhdojë me rrotacion figurash pa transformim sistemik? Për herë të parë pas më shumë se dy dekada polarizimi të theksuar në bllokun shqiptar, zgjedhjet lokale sollën një përzierje emocionesh politike – triumf për njërën anë, por edhe paralajmërim për tjetrën. Kjo për pushtetin aktual, rezultati, është mesazh për konsolidim dhe përgjegjësi, ndërsa për opozitën shans i ri për riformatim.
Megjithatë, përtej numrave dhe fitores nëpër komuna, sfida më e madhe për Maqedoninë e Veriut është rikthimi i besimit qytetar dhe krijimi i institucioneve funksionale, të pavarura nga ciklet partiake. Kjo kërkon më shumë se rotacion politik, kërkon reset të mënyrës së të menduarit shtetëror e jo eurfori nga rezultati i marrjes së komunave. Nëse pas zgjedhjeve lokale vendi arrin të ndërmarrë disa hapa konkretë – si hapja e listave zgjedhore, depolitizimi i administratës, reforma në drejtësi dhe forcimi i komunave, atëherë mund të flasim për një “rifreskim të vërtetë institucional”.
Por nëse ndryshimet mbeten vetëm simbolike, rreziku është që vendi të mbetet në status quo, që do të thorë një demokraci me fasadë moderne, por me “ide” të vjetëra politike. Në këtë proces, rolin kyç pritet ta ketë forca politike shqiptare, që të mund të bëhet faktor vendimtar për balancë dhe për reforma, nëse arrin të unifikojë prioritetet përtej interesave partiake. Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, roli i faktorit shqiptar mbetet vendimtar dhe të jenë garant i stabilitetit euro-atlantik të vendit nëse nxisin reforma reale. Po ashtu, presioni i Bashkimit Evropian do të jetë thelbësor për të shtyrë drejt një agjende reformuese të vërtetë. Maqedonia e Veriut sot për ta kaluar udhëkryqin politik, duhet të merren për bazë zgjedhjet lokale të cilat dhanë sinjale për ndryshim, por edhe ndoshta një garanci për transformim.
“Reset-i” i sistemit nuk vjen vetëm nga ndërrimi i pushtetit, por nga ndryshimi i kulturës së qeverisjes. Nëse elitat politike, e sdiomos shqiptare, kuptojnë se legjitimiteti nuk është privilegj, por përgjegjësi, atëherë ky vend mund të hyjë në një kapitull të ri, më të ndershëm dhe më efikas. Në të kundërt, rifreskimi do të mbetet vetëm në sipërfaqe, ndërsa sistemit do t’i duhet të përballet sërish me pasojat e stanjacionit politik, ose thjeshtë thënë bllokim në zhvillimin politik të vendit.



