Përgjithësisht ka qenë i kursyer në komente për ish-krerët e UCK-së që po gjykohen për krime lufte në Hagë.
“Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por, ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”-u shpreh Kurti.
“Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, vazhdon mesazhi i tij. Kurti tha më tej se në vitin 2022 kishte kërkuar lirimin e tyre, duke publikuar kështu për herë të parë edhe letrën që kishte dërguar asokohe.
“Si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje…”-shkruan Kurti.
Komenti i Kurtit erdhi në pesë-vjetorin e arrestimit dhe paraburgosjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjyqi ndaj tyre nisi më 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.



