Nga 16 deri më 22 shtator, Tetova do të jetë nikoqire e edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit TIFF ODA. Për shtatë ditë, në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës.
Në kuadër të festivalit do të organizohen edhe workshop-e të dedikuara për studentët dhe personat që merren me produksion filmik, me qëllim të krijimit të hapësirave të reja për edukim dhe shkëmbim të përvojave në fushën e kinematografisë.
Koordinatori i TIFF ODA, Agim Abdulla, bëri të ditur se në programin e sivjetëm janë përfshirë filma nga 22 shtete.
“Këtë vit kemi filma nga 22 shtete të rajonit dhe botës. Kemi 14 filma të metrazhit të gjatë që ndahen në tri kategori: Ballkan Panorama, e cila është garuese, European Panorama me filma prestigjiozë, si dhe Special Screening. Do të kemi edhe filma të shkurtër, të cilët përbëhen nga disa kategori, përfshirë filmin e shkurtër dokumentar, të animuar dhe studentor.”
Festivali do të hapet më 16 shtator me filmin “DUA” të regjisores Blerta Basholli.
Ndërkaq, drejtori i festivalit, Sabedin Selmani, tha se edicioni i 15-të do të nisë me një produksion të ri dhe do të përmbyllet me filmin “Turpi dhe Paraja” të regjisorit Visar Morina. “Fillimi i festivalit shënohet më 16 shtator me filmin ‘DUA’ nga Blerta Basholli, një prurje e re dhe një film fantastik që do ta shfaqim para publikut tonë. Ndërsa festivali përfundon më 22 shtator me filmin ‘Turpi dhe Paraja’ nga Visar Morina, film që na lumturon ta kemi prezent.”
Organizatorët kanë ftuar qytetarët e Tetovës dhe të gjithë adhuruesit e filmit që të ndjekin programin e festivalit. Hyrja për publikun do të jetë falas.
Juria e edicionit të sivjetëm do të përbëhet nga Majlinda Tafa nga Shqipëria, Sajmir Luma dhe Ibër Deari, të cilët do të vlerësojnë filmat në konkurrencë.
TIFF ODA edhe këtë vit financohet nga Agjencia e Filmit, ndërsa përkrahet nga Komuna e Tetovës dhe Shtëpia e Kulturës në Tetovë.



