Lidhja Shqiptare (LSH), e kryesuar nga Ziadin Sela, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me zgjedhjet në Bërvenicë, duke kundërshtuar cilësimin e dëshirës për fitore të një kandidati shqiptar si “provincializëm”. Nga LSH-ja vlerësojnë se deklarata e Gashit është e papërshtatshme dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të Bërvenicës që të mobilizohen për zgjedhjet e së dielës.
Reagimi i plotë i Lidhjes Shqiptare:
Kauza Kombëtare nuk është provincializëm, por Afrim Gashi është vasal që mohon edhe identitetin e vetë.
Sot dëgjuam deklaratën më skandaloze, më të turpshme dhe më poshtëruese të një funksionari shqiptar, i cili rri ulur në një kolltuk që u fitua me shumë sakrificë e gjak të derdhur.
Afrim Gashi sot e quajti provincializëm dëshirën e shqiptarëve për fitoren e kandidatit shqiptar në Bërvenicë, duke shtuar se ai uron “të fitojë më i miri” dhe lutet që të përfundojnë ndarjet në baza etnike.
Afrim Gashit, i cili i ra pishman edhe për atdheun e tij, mohoi gjuhën shqipe. Nuk i pengon nacionalizmi i Mickoskit dhe VMRO-së, festa e tyre për “fitoren maqedonase” në Kërçovë e Bërvenicë në zgjedhjet e kaluara, por i pengon vetëm dëshira e shqiptarëve për fitore aty ku janë shumicë dhe meritojnë fitore.
Lidhja Shqiptare dënon ashpër këtë retorikë të Gashit dhe koalicionit ku ai bën pjesë dhe fton shqiptarët e Bërvenicës që t’i japin përgjigjen e duhur atij dhe Mickoskit të dielën.
Përkatësia kombëtare dhe e drejta e shqiptarëve për të qeverisur me Bërvenicën është e drejtë hyjnore, njerëzore dhe demokratike, sepse shqiptarët aty janë shumicë.
Motra e vëllezër, mobilizohuni masivisht, lini dallimet politike e lojërat e vasalëve, sepse të dielën duhet të fitojë kandidati shqiptar dhe qytetarët shqiptarë të Komunës së Bërvenicës.



