Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që po mbahen sot në 18 komuna të vendit. Ai votoi në ndërtesën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në një postim në Facebook, Kurti e ka cilësuar ditën e sotme si një ditë të mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në votime dhe të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjen për kryetarët e komunave në katërvjeçarin e ardhshëm.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave, dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës,” ka shkruar Kurti.
Ai shtoi se Komisioni Qendror Zgjedhor i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, ndërsa komisionerët dhe vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit.
“Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë,” përfundoi Kurti, duke uruar suksese dhe një proces të qetë zgjedhor.



