Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se do të mbështesë sulmet e mëtejshme amerikane ndaj Iranit nëse Republika Islamike vazhdon programet e saj për raketa balistike ose armë bërthamore, dhe paralajmëroi Hamasin për pasoja serioze nëse nuk çarmatoset.
Trampi tha se bisedimet e tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në pronën e tij në Florida u përqendruan në vazhdimin e marrëveshjes së brishtë të paqes për Gazën dhe shqetësimet e Izraelit për Iranin dhe grupin shiit Hezbollah në Liban. Ai theksoi se Teherani ndoshta po rikthen programet e tij të armëve pas sulmit masiv amerikan në qershor.
“Lexova se ata po grumbullojnë armë dhe gjëra të tjera, dhe nëse po e bëjnë këtë, nuk po i përdorin lokacionet që ne i shkatërruam, me gjasë po përdorin lokacione të tjera”, u tha Trampi gazetarëve në një konferencë për shtyp me Netanjahun.
“E dimë saktësisht se ku po shkojnë, çfarë po bëjnë, dhe shpresoj se nuk po e bëjnë këtë sepse nuk duam të shpenzojmë karburant për B-2”, shtoi ai, duke iu referuar bombarduesit që u përdor në sulmin e mëparshëm. “Është një udhëtim 37-orësh në të dy drejtimet. Nuk dua të shpenzoj shumë karburant”, shtoi ai.
Irani, i cili zhvilloi një luftë 12 ditore me Izraelin në qershor, javën e kaluar deklaroi se ka kryer teste raketash për herë të dytë këtë muaj.
Duke iu referuar Gazës, Trampi tha se dëshiron të kalojë në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, e arritur në tetor pas dy vjet luftimesh në enklavën palestineze. Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të rënda të marrëveshjes, ku Izraeli thotë se nëse grupi nuk dorëzohet paqësisht, “do të vazhdojë me veprime ushtarake për ta detyruar të bëjë këtë”.
Në komentet e tij, Trampi e akuzoi grupin palestinez se nuk është çarmatosur më shpejt, duke thënë se Izraeli e ka përmbushur pjesën e tij të marrëveshjes dhe paralajmëroi se Hamasi do të përballet me pasoja serioze. “Do të ketë ferr për t’u paguar”, paralajmëroi Trampi.
Trampi tha se ai dhe Netanjahu nuk bien dakord për Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, por lideri amerikan nuk sqaroi se çfarë përmban mosmarrëveshja. Në konferencën për shtyp, ai u pyet nëse kishte ndonjë mesazh për kryeministrin izraelit lidhur me Bregun Perëndimor dhe nëse ishte i shqetësuar se dhuna e kolonëve izraelitë ndaj territoreve palestineze mund të dëmtojë paqen.
“Prej kohësh kemi pasur diskutime, diskutime të mëdha, për Bregun Perëndimor. Dhe nuk do të thoja se biem dakord 100 për qind për Bregun Perëndimor, por do të arrijmë në një përfundim”, tha Trampi.
Ndërkaq, Netanjahu tha se Izraeli është shumë i interesuar të sigurojë një kufi paqësor me Sirinë, ndërsa presidenti Tramp shprehu besimin se liderët izraelitë dhe sirianë do të arrijnë një marrëveshje.
Netanjahu, tha se vendi i tij është i vendosur të sigurojë një kufi paqësor me Sirinë, ndërsa Trampi shprehu besimin se Izraeli do të arrijë një marrëveshje me presidentin Ahmed al-Shara, i cili mori pushtetin pasi udhëheqësi shumëvjeçar Bashar al-Asad u rrëzua vitin e kaluar.
Netanjahu pas takimit deklaroi se ia jep Trampit dekoratën më të lartë shtetërore të Izraelit, e cila, sipas tij, historikisht ishte rezervuar për izraelitët.
“Presidenti Tramp ka shkelur kaq shumë tradita duke i surprizuar njerëzit. Prandaj vendosëm të shkelim traditën e vjetër ose të krijojmë një të re”, theksoi Netanjahu.
Trampi gjithashtu tha se presidenti izraelit Isak Hercog i kishte thënë se planifikon të falë Netanjahun pas akuzave për korrupsion – një deklaratë që kabineti i Hercogut e mohoi menjëherë. “Ndjej se nëse do të kishit pasur një kryeministër të gabuar, Izraeli nuk do të ekzistonte”, tha Tramp.



