Të gjitha komunat në Maqedoninë e Veriut përballen me rënie të popullsisë, si pasojë e shtesës natyrore negative, ku numri i vdekjeve tejkalon numrin e lindjeve. Ky trend konfirmon rënien e përgjithshme demografike në nivel shtetëror.
Me gjithë këtë rënie komunat me shumicë shqiptare shënojnë rritje të popullsisë sidomos ato në kryeqendër: Çair: +351 banorë, Saraj: +332 banorë, Studeniçan + 221 banorë, Haracina: +138 banorë. Shuto Orizare: +137, etj. Profesori Universitar Fati Iseni thotë se rënia është e dukshme si në total, ashtu brenda komuniteteve, me përjashtime të rralla në disa zona urbane.
“Nëse i shikojmë komunat një nga një, asnjë komunë nuk ka shtim pozitiv të bashkësisë etnike maqedonase. Pra, në të gjitha komunat, nga Aerodromi deri në Gjevgjeli. Mos të flasim për Manastirin, që është tmerrues me -774; këto janë shifra shumë shqetësuese. Nëse e analizojmë sipas komunave të bashkësisë etnike shqiptare, vetëm në Shkup, në komunat urbane, kemi rritje prej 1287. Ndërsa, nëse e analizojmë dhe marrim shumën e përgjithshme të të gjitha komunave të Shkupit me rrethinë, kemi një shtim të shqiptarëve me +2164 sipas shtimit natyror”, u shpreh profesori universitar Fati Iseni.
Profesori Universitar Fati Iseni, thotë se të gjitha institucionet shtetërore, duhet të ngrejnë alarmin, pas këtyre shifrave tmerruese. Ai u shpreh kritik për neglizhencën e këtij problemi dhe shtoi se nëse nuk merren masa urgjente, nga kjo situatë demografike rrezikojnë të shuhen qytete të tëra.
“Neve na shuhen shkolla për ditë, na shuhen fshatra për ditë. Tani jemi në proces të shuarjes së qyteteve për ditë. Llogariteni Manastirin, Prilepin, Shtipin – shkojnë me qindra banorë më pak në vit. Ne nuk e vendosim theksin e politikave tona, të paktën në projektet afatmesme, nëse jo afatgjata, dhe e kemi zhvendosur te politika të tjera ditore, ku vetëm bëhet një luftë për mbijetesën e nomenklaturave politike ose e grupacioneve të ndryshme, të cilët pretendojnë vetëm mbijetesën në pushtet, pa e vendosur theksin ku duhet”, deklaroi Iseni.
Profesori shton se të gjithë duhet të jemi të shqetësuar nga kjo gjendje, pasi secilit nga ne i kanë emigruar më shumë se gjysma e familjes jashtë vendit, duke u bërë kështu një sfidë serioze jo vetëm për qytetet, por për të ardhmen e gjithë vendit.(Tvm2)



