Daim Miftari
Libri shqip në Maqedoninë e Veriut po kalon një krizë të thellë. Kjo nuk është një dukuri e re, përkundrazi, kemi një kohë të gjatë që notojmë në këtë amulli kolektive ndaj fjalës së shkruar, qoftë ajo e krijuar nga autorë vendas apo e përkthyer. Çfarë po ndodh me ne, si shqiptarë të këtij vendi? Mungojnë shtëpitë botuese serioze, ato dyer të shenjta ku duhet të trokasin autorët e rinj e të vjetër. Nuk po flasim vetëm për infrastrukturë fizike, por për mungesë vizioni, profesionalizmi dhe guximi për të investuar në cilësi. Një shtëpi botuese serioze nuk është thjesht një shtypshkronjë, ajo është një promovues i zellshëm i fjalës së shkruar që selekton, redakton dhe e sjell veprën para publikut me dinjitet. Kur mungojnë këta gurë themelorë, i gjithë ekosistemi i librit lëkundet. Kjo krizë është shumë më e thellë se thjesht mungesa e botuesve. Mungon edhe mendimi kritik, ai zë i domosdoshëm që analizon, vlerëson dhe e çon përpara letërsinë. Pa mendim kritik, libri nuk e merr kurrë vlerësimin e merituar. Librat shkruhen, por nuk diskutohen, nuk debatohen, nuk rriten në syrin e publikut. Thjesht, vërtiten në rrethin e ngushtë të autorit dhe miqve të tij, duke humbur mundësinë për të lënë gjurmë. Pastaj vjen ajo që na dhemb më shumë: mungesa e vëmendjes. Në një botë të mbushur me informacion të shpejtë, me lajme që harrohen pas pak minutash, me rrjete sociale që gllabërojnë çdo sekondë të lirë, libri mbetet pas. Sepse ai kërkon përkushtim, kërkon kohë, kërkon thellësi. Por, a jemi ne si shoqëri të gatshëm ta japim këtë vëmendje? Duket se jo. Prioritetet tona janë zhvendosur, dhe thellësia e mendimit është zëvendësuar me sipërfaqësoren e informacionit. E ku janë autorët dhe përkthyesit e mirëfilltë? Jo se nuk kemi talente, por a u ofrohet atyre mjedisi i duhur për të lulëzuar? A kanë ata motivim, mbështetje, dhe më e rëndësishmja, një audiencë që i pret me padurim? Duket se shumë zëra të talentuar mbeten në hije, të zhgënjyer nga mungesa e perspektivës. Ndërsa vetëkënaqësia e të vënit emrin në kopertinë pa asnjë standard profesional vazhdon, librat me vlerë mbeten të pabotuar. Po përkthyesit, ku janë? Sa vepra me rëndësi botërore na mungojnë në shqip, pikërisht për shkak të kësaj zbrazëtie dhe mungesës së vlerësimit?
Në Shqipëri dhe Kosovë, libri shqip duket se vlerësohet, lexohet, promovohet dhe çmohet shumë më tepër. Atje ka një dinamikë tjetër, një frymë tjetër jetese për botimin dhe promovimin e fjalës së shkruar. Panelet letrare, diskutimet, panairet e librit, të gjitha këto krijojnë një mjedis më stimulues. Por te ne? Te ne, ky problem nuk është veçse një çështje tregu apo mungesë fondesh. Është një shpirt njerëzor në krizë. Deri kur do të vetëkënaqemi duke vënë emrat në kopertina dhe ta quajmë veten “shkrimtarë”, pa u thelluar në esencën e vërtetë të krijimtarisë dhe leximit? Ndërkohë që ne shpesh krenohemi me historinë tonë të pasur letrare, me personalitetet që na kanë lartësuar, a po e lëmë ne këtë trashëgimi të zbehet në sytë e gjeneratave të reja? Kjo është një këmbanë alarmi. Libri nuk është thjesht një objekt, ai është dëshmi e mendimit, pasqyrë e shpirtit, ura që lidh të kaluarën me të ardhmen. Ai edukon, frymëzon dhe na ndihmon të kuptojmë botën dhe veten. Nëse duam të shpëtojmë fjalën e shkruar shqip në Maqedoninë e Veriut, duhet të veprojmë tani. Duhet të mbështesim shtëpitë botuese cilësore, të nxisim mendimin kritik, të promovojmë leximin në çdo cep të shoqërisë dhe të mbështesim autorët e përkthyesit tanë me grante, bursa dhe hapësira për zhvillim Por, a jemi të gatshëm të ndryshojmë kursin, para se të jetë tepër vonë!?



