BallinaKulturëPanairi i Librit – thirrja e përvitshme për lexim dhe refreni për...

Panairi i Librit – thirrja e përvitshme për lexim dhe refreni për kushte

Kërkesës për vëmendje më të madhe ndaj librit e leximit, në ceremoninë e hapjes së edicionit të 26-të të Panairit të Librit në Prishtinë i është shtuar edhe refreni për hapësira më të denja për ngjarje të tilla kulturore. Titujt ndërrojnë, por jo edhe kushtet në të cilat mbahet Panairi tash e 26 vjet. Panairi konsiderohet festë, sivjet asaj i janë bashkuar më pak botues, përfaqësues institucionesh kanë përsëritur mesazhet për peshën e leximit dhe premtimet e kahershme. Motoja sivjet është “Libri hap botën” dhe një thirrje si kjo vjen si kontrapunkt ndaj hovit në epokën digjitale

Është ngjarja më e madhe e librit në vend me gjithë tkurrjen e sivjetme. Në platenë e Pallatit të Rinisë kësaj radhe nuk ka shtande. Nga rreth 100 botues që ishin të përvitshëm, në këtë edicion janë stacionuar veç rreth 60. Edhe shtëpi të mëdha botuese janë tkurrur duke bashkuar forcat në shtande të përbashkëta. Panairi i Librit në Prishtinë po kalon në njëfarë tranzicioni. S’është më si një librari e madhe por më shumë një festë e kurorëzim i punës njëvjeçare të botuesve. Me gjithë zvogëlimin mbahet në kushte aspak të denja.

Kërkesës për vëmendje më të madhe ndaj librit e leximit, në ceremoninë hapesë i është shtuar edhe ajo për hapësira më të mira për ngjarje të tilla kulturore.

Me rreth dy mijë tituj të rinj e 6 mijë tituj të botuar në vitet e fundit, në mesditën e së mërkurës ka hapur dyert edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Nën moton “Libri hap botën”, ekspozita e librit për pesë ditë pritet të ketë rreth 30 mijë vizitorë dhe të jetë vendtakim i madh midis botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve e lexuesve.

“Ëndërrojmë ditën kur Prishtina dhe Kosova do të kenë një hapësirë moderne…”

Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, libri është porta drejt botëve të panumërta, udhëtimi përtej kohës dhe hapësirës, mundësia për të mësuar, për të reflektuar e për të komunikuar me mendjet më të ndritura që ka njohur njerëzimi.

“Qoftë përmes letërsisë, si forma më kreative e shprehjes njerëzore, qoftë përmes veprave studimore e diskursive, libri mbetet mjeti më i fuqishëm i formimit të njeriut. Po aq të rëndësishëm janë librat për fëmijë, sidomos ata që nxisin kureshtjen, imagjinatën dhe krijimtarinë. Në këtë kohë kur ekranet po e marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e brezave të rinj, libri mbetet ftesa kryesore për t’u rikthyer te mendja që mendon, rezonon dhe krijon”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se mësimet e para fillojnë në familje. Por sipas tij, kur institucionet e vendit i japin vëmendjen e duhur librit dhe kulturës, mesazhi që përcillet është i qartë: libri është i domosdoshëm për secilin anëtar të shoqërisë. S’ka munguar kërkesa për hapësira më të denja.

“Ëndërrojmë ditën kur Prishtina dhe Kosova do të kenë një hapësirë moderne dhe të denjë për organizimin e panaireve, ekspozitave dhe ngjarjeve të mëdha kulturore e artistike. Potenciali krijues i këtij vendi është shumë më i madh sesa hapësirat që kemi në dispozicion. Andaj, lutja ime e sinqertë për ata që kanë mundësinë ta bëjnë këtë realitet është e thjeshtë: jepini Kosovës një qendër moderne për kulturën dhe panairet. Jam i bindur se përfitimet që do t’i sjellë shoqërisë sonë do të jenë shumëfish më të mëdha se çdo investim i bërë”, ka thënë ai.

Panairi si zakonisht mbahet në atë që është Salla e Kuqe e Atelieja e Pallatit të Rinisë. Atelieja është pjesë e hapësirave që i ka me qira Filharmonia e Kosovës e që shfrytëzohet edhe nga Opera e Kosovës. Institucioni i Operës – që është njëfarë agjencie operistike pa ansambël të vetin – është dashur të zhvendoset në qendrën kulturore të katedrales “Bogdani Polis” për t’i vazhduar provat në mënyrë që Panairit të mos i mungojnë hapësirat.

Zeneli në cilësinë e organizatorit ka thënë se libri këto ditë do të jetë kryefjala dhe Panairi i Librit vendtakim i përbashkët për dijen, kulturën dhe dashurinë për leximin.

Lajme te lidhura

spot_img