Tingujt që kanë shoqëruar breza të tërë, kujtime që vazhdojnë të jetojnë në memorien kolektive dhe emocione që nuk e humbin fuqinë e tyre me kalimin e kohës shënuan natën e parë të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival. Para hapjes së programit artistik të festivalit dhe ekspozitës së fotografit me famë ndërkombëtare Fadil Berisha, publiku u mblodh për të përjetuar një mbrëmje të veçantë me grupin legjendar “Minatori”, një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e muzikës moderne shqiptare.
Para performancës, kordinatori artistik i festivalit, Besmir Vokopola, foli për KultPlus rëndësinë e kësaj nate hapëse dhe konceptin që qëndron pas programit të sivjetmë. Sipas tij, nuk ishte rastësi që edicioni i gjashtë nisi pikërisht me një ndërthurje mes muzikës dhe fotografisë, duke sjellë në të njëjtën hapësirë dy forma të ndryshme të shprehjes artistike.
“Ne fakt kjo është një mbrëmje shumë e veçantë për ne, pasi hapim edicionin e VI të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj dhe kemi vendosur që ta hapim me një ekspozitë, ‘Before Beauty / After Beauty’, e cila i dedikohet një prej përfaqësuesve më të denjë të kulturës dhe gjithë shqiptarisë, siç është Fadil Berisha. Publiku do të ketë mundësinë të shohë një koleksion të jashtëzakonshëm të një pune dyzetvjeçare të mjeshtrit. I paraprin këtij eventi një performancë e grupit legjendar ‘Minatori’, duke qenë se ne mendojmë gjithmonë që arti dhe zhanret e ndryshme të artit duhet të komunikojnë me njëra-tjetrën. Për këtë arsye e hapim me këtë pre-event, me një performancë të grupit legjendar ‘Minatori’, ku të gjithë besoj se do t’i këndojmë këngët më të dashura të tyre, por edhe më të dashurat për ne. Pastaj nisim me shumë aktivitete të tjera gjatë muajit korrik.”
Duke ftuar publikun të bëhet pjesë e programit të festivalit gjatë javëve në vazhdim, Vokopola theksoi se arti mbetet një nga mënyrat më të mira për të krijuar përvoja të përbashkëta dhe për të afruar publikun me forma të ndryshme të krijimtarisë.
“Unë thjesht do t’i ftoja publikun të vijë dhe ta shijojë. Vera është e gjatë dhe, përpos aktiviteteve rekreative dhe festive, ne jemi njëlloj ndërmjetësi midis pikërisht mbrëmjeve që na i zbusin ato ditë të nxehta, por në të njëjtën kohë krijojmë mundësinë për t’u njohur me një zhanër artistik i cili i ka rezistuar shekujve.”
Në një atmosferë të mbushur me nostalgji dhe emocion, publiku këndoi së bashku këngët që prej dekadash vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës muzikore të vendit. Nën interpretimin e vokalistit Naser Gjinovci, grupi solli një repertor që bashkoi breza të ndryshëm përmes melodive dhe teksteve që vazhdojnë të mbeten aktuale edhe sot.
Mbrëmja nisi me “Athua ëndërr ishe ti”, për të vazhduar me këngë të dashura si “E di se do të shoh”, “Nuk e di çka është mirë”, “Në duart tua do të vdes”, “Me dikon me t’pa”, “Babi im”, “Shfletoj gazetën”, “Të kujtoj dhe nuk kuptoj”, “Udha e mbarë”, “Krejt njëjtë”, “Mihane”, “Molla me sherbet”, “Të dua sa Kosovën” dhe “Këngë Mllefi”.
Në skenë performuan Naser Gjinovci në vokal, Mufail Limani në kitarë, Defrim Behluli në keyboard dhe vokal shoqërues, si dhe Premton Maliqi në bateri.
Përgjatë koncertit, në ekran u shfaqën pamje nga rrugëtimi artistik i grupit ndër vite, duke sjellë para publikut fragmente të historisë së tyre muzikore dhe duke krijuar një urë mes së kaluarës dhe së tashmes. Fotografi, video dhe momente të dokumentuara ndër dekada shoqëronin interpretimet, duke e bërë përvojën edhe më emocionale për të pranishmit.
Në audiencë ishin mbledhur figura publike, artistë, dashamirës të muzikës dhe qytetarë të grupmoshave të ndryshme. Shumë prej tyre këndonin bashkë me grupin, ndërsa në disa momente emocionet dhe nostalgjia ishin të dukshme në fytyrat e publikut, që dukej se po rikthehej në kohë përmes këngëve që kanë shënuar një epokë të tërë.
Teksa mbrëmja avanconte dhe publiku këndonte pothuajse çdo varg bashkë me grupin, koncerti mori herë pas here edhe formën e një rrëfimi të përbashkët mes artistëve dhe audiencës. Përtej muzikës, skena u mbush me kujtime, reflektime dhe momente spontane që sollën edhe më pranë publikun me historinë e grupit. Në këtë atmosferë të ngrohtë dhe plot nostalgji, Naser Gjinovci ndalej shpesh mes këngëve për të ndarë mendime e batuta me të pranishmit, duke i dhënë mbrëmjes një dimension edhe më personal.
“Duhet një rrëfim. Nuk është me rëndësi a ka ndodh apo nuk ka ndodh, me rëndësi është narracioni i mirë.”
Për disa çaste, skena u shndërrua në një hapësirë ku kujtimet, humori dhe muzika bashkëjetonin me njëra-tjetrën, duke e bërë publikun jo vetëm dëgjues, por pjesë të vetë rrëfimit që po ndërtohej gjatë mbrëmjes.
Atmosfera e krijuar gjatë gjithë koncertit dëshmoi edhe një herë lidhjen e veçantë që grupi “Minatori” vazhdon të ketë me publikun. Këngët interpretoheshin në kor nga të pranishmit, ndërsa emocionet dhe nostalgjia shoqëronin pothuajse çdo performancë, duke e kthyer mbrëmjen në një takim mes kujtesës kolektive dhe muzikës që ka shoqëruar breza të tërë.
Duke folur për KultPlus pas performancës, Naser Gjinovci e cilësoi pjesëmarrjen në natën hapëse të festivalit si një privilegj të veçantë për grupin.
“Natyrisht që është një përjetim i llojit të vet dhe është një privilegj për grupin Minatori dhe personalisht për mu, se i kemi dy emra që kanë suksese planetare si Fadili. Na e kemi pasë strukturën shumë të mirë të mysafirëve dhe, edhe pse nuk dijmë me bo dallime sepse mysafirët janë të barabartë, unë kisha thanë që i kemi pasë ca emra lehtë të identifikueshëm që kanë qenë sonte, pa i specifiku, se mos e harroj dikë.”
Për Gjinovcin, një nga kënaqësitë më të mëdha mbetet fakti se këngët e grupit vazhdojnë të dëgjohen dhe të përcillen nga brezi në brez.
“Kjo na bën shumë të lumtur, se këngët janë bart prej gjenerate në gjeneratë dhe nuk ka pasë ndonjë disonancë apo oscilim të këtyre këngëve, në kuptimin a janë aktuale apo jo. Rinia 17-18-vjeçare, ne e dimë parametrin në mbrëmje të ndryshme. Ajo çfarë na ka bo jashtëzakonisht të lumtur ka qenë një turne në Gjermani. Në sallat e koncerteve kemi pa edhe të rinj edhe 60-vjeçarë. Ka qenë një emocion dhe një nostalgji për korzën e Prishtinës, për këngët e Minatorit që e reflektojnë atë kohë. Njerëzit kanë qajt, veçanërisht në disa momente. Kjo domethënë se këngët nuk kanë pësuar ndonjë rënie, por përkundrazi. Për Kosovën, Tetovën apo Gostivarin nuk çuditem, por në Gjermani ishte diçka shumë e veçantë. E dimë çfarë dëgjojnë ata sot dhe megjithatë këto këngë vazhdojnë të jetojnë.” u shpreh Gjinovci për KultPlus.
Fjalët e Gjinovcit pasqyruan jo vetëm rrugëtimin e gjatë të grupit “Minatori”, por edhe raportin e veçantë që këto këngë vazhdojnë të ndërtojnë me publikun. Përgjatë gjithë mbrëmjes u bë e qartë se repertori i grupit mbetet i pranishëm në kujtesën kolektive, duke kapërcyer kufijtë e kohës dhe duke vazhduar të gjejë jehonë te breza të ndryshëm dëgjuesish.
Koncerti i natës së parë solli në të njëjtën hapësirë nostalgjinë e atyre që i kanë përjetuar këto këngë që nga fillimet e tyre dhe kureshtjen e brezave më të rinj që vazhdojnë t’i zbulojnë ato. Në shumë momente, publiku iu bashkua interpretimit, duke krijuar një atmosferë ku skena dhe audienca dukeshin pjesë e të njëjtit rrëfim muzikor.
Pas përfundimit të performancës, vëmendja e publikut u zhvendos drejt Galerisë së Arteve në Marigona Hill, ku u hap ekspozita “Before Beauty / After Beauty” e fotografit me famë ndërkombëtare Fadil Berisha. Vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër me një përzgjedhje veprash që përmbledhin katër dekada krijimtarie, në një ekspozitë që hapi zyrtarisht programin artistik të edicionit të sivjetmë.
Kështu, nata e parë e edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival u përmbyll mes tingujve që kanë shoqëruar breza të tërë dhe imazheve që kanë udhëtuar nëpër skenat më të njohura të botës. Një mbrëmje ku muzika dhe fotografia u takuan në të njëjtin itinerar artistik, duke shënuar fillimin e një muaji të pasur me aktivitete kulturore që do të vazhdojnë gjatë korrikut në kuadër të festivalit./KultPlus.com




