Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup, deklaroi se fokusi i Brukselit është zhbllokimi i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski, ajo bëri të ditur se javën e ardhshme pritet të ndërmerret një hap i ri për ta rikthyer procesin në lëvizje.
“Jemi dakorduar që javën e ardhshme të kemi një hap të parë të ri dhe të përpiqemi ta zhbllokojmë procesin”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo tha se, nëse tejkalohet bllokada aktuale, vendi mund të përparojë shpejt, duke theksuar se tashmë është bërë punë e konsiderueshme në reformat e nevojshme.
Von der Leyen përmendi edhe rezultatet nga Plani i Rritjes, duke thënë se Maqedonia e Veriut tashmë ka marrë 140 milionë euro, ndërsa pagesa të tjera priten në javët në vijim.
“Ju i përkisni tryezës së Bashkimit Evropian”, tha presidentja e Komisionit Evropian.
Ajo rikujtoi se negociatat e anëtarësimit nisën në vitin 2022 dhe se procesi i skriningut u përfundua në më pak se një vit. Sipas saj, tani mbetet një hap kyç për hapjen e klasterit të parë, “Themelet”.
Von der Leyen foli edhe për Marrëveshjen e Prespës, duke e përmendur si shembull të një vendimi politik që, sipas saj, hapi rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO.
“Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj”, deklaroi ajo, duke shtuar se kultura dhe gjuha maqedonase mund ta pasurojnë Bashkimin Evropian.



