BallinaLAJMEMaqedoni35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut

35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut

Në këtë ditë, 35 vjet më parë, më 17 nëntor 1991, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Kushtetutën e parë të shtetit të pavarur maqedonas, me çka u vendosën themelet e rregullimit të tij kushtetues-juridik.

Akti më i lartë shtetëror u miratua në një periudhë ndryshimesh historike dhe shpërbërjeje të ish-federatës jugosllave, pas referendumit të 8 shtatorit 1991, në të cilin qytetarët u deklaruan për një shtet të pavarur dhe sovran.
Me Kushtetutën, Maqedonia u përcaktua si shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe social, ndërsa u vendosën parimet themelore të demokracisë parlamentare, ndarjes së pushteteve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe korniza institucionale e shtetit të pavarur.
Parimet e saj themelore lidhen me luftën shekullore të popullit maqedonas dhe me aspiratat historike për shtetësi, të mbështetura në traditat e Republikës së Krushevës dhe të ASNOM-it, si dhe me përpjekjet për rregullim demokratik dhe realizimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Miratimit të Kushtetutës i parapriu Deklarata e Pavarësisë, e miratuar nga përbërja e parë shumëpartiake e Kuvendit më 25 janar 1991. Megjithatë, procesi i pavarësimit u shoqërua edhe me mospajtime politike. Një pjesë e komunitetit etnik shqiptar e bojkotoi referendumin, ndërsa deputetët shqiptarë nuk e mbështetën Kushtetutën e re.
Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i shtetit u konfirmua më 8 prill 1993, kur Republika e Maqedonisë u pranua në Kombet e Bashkuara si anëtarja e 181-të me të drejta të plota. Për shkak të kundërshtimit të Greqisë ndaj emrit kushtetues të shtetit, pranimi u bë nën referencën e përkohshme “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Në vitet pas miratimit të saj, Kushtetuta pësoi disa ndryshime dhe plotësime, ndër të cilat më të rëndësishme ishin amendamentet e vitit 2001, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe ndryshimet e vitit 2019, me të cilat emri kushtetues i shtetit u ndryshua në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Me rastin e 35-vjetorit të Kushtetutës së parë, sot në Kuvend do të mbahen një sërë panelesh diskutimi, ku do të debatohet për miratimin e aktit më të lartë juridik dhe pavarësimin e shtetit.

Lajme te lidhura

spot_img