BallinaLAJMEBOTAUashingtoni vendos marzhe të reja doganore për 60 shtete, reagime nga BE-ja,...

Uashingtoni vendos marzhe të reja doganore për 60 shtete, reagime nga BE-ja, Australia, Zelanda e Re

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan mbrëmë futjen e tarifave doganore prej dhjetë ose 12,5 përqind për importet nga 60 vende, me arsyetimin se ato nuk kanë arritur të vendosin ose zbatojnë në mënyrë efektive ndalesën për importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar.

“Partnerët tregtarë që kanë marrë përsipër të vendosin dhe të zbatojnë në mënyrë efektive ndalesën importit të mallrave të prodhuara me punë të detyruar do t’i nënshtrohen një tarife doganore prej 10 për qind, ndërsa partnerët tregtarë që nuk kanë miratuar një ndalesë të tillë do t’i nënshtrohen një tarife doganore prej 12.5 për qind”, theksohet në kumtesën e administratës amerikane.

Ndër produktet e prekura ka edhe mallra të caktuara nga Bashkimi Evropian, kumtoi Zyra e përfaqësuesit tregtar amerikan (USTR).

Tarifat shtesë doganore do të zbatohen për pjesën më të madhe të importeve nga partnerët tregtarë të prekur, duke filluar nga ora 00:01 sipas kohës lindore të SHBA-së sot (04:01 sipas kohës së Griniçit).

Nga këto masa do të përjashtohen mallrat që tashmë janë ngarkuar në anije, ndodhen në fazën përfundimtare të transportit dhe për të cilat dokumentacioni doganor është përfunduar para datës 28 korrik.

Menjëherë pas paralajmërimeve reaguan BE-ja, Australia, Zelanda e Re.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, i cilësoi si të pabazuara pretendimet për mangësi në kontrollin e punës së detyruar në Bashkimin Evropian.

“Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Bashkimin Evropian”, deklaroi Kallas në një prononcim në Manila, ku po mbahet Samiti i ASEAN-it. Ajo theksoi se, krahasuar me SHBA-në, legjislacioni evropian i punës parashikon pushime të paguara dhe standarde të larta për kushtet e punës.

“Prandaj kjo me të vërtetë nuk është e justifikuar”, vlerësoi Kallas, duke njoftuar se BE-ja do të kërkojë sqarime shtesë nga Uashingtoni. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian i ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja transatlantike tregtare e arritur vitin e kaluar dhe se tarifat e reja i konsideron si një “tronditje”.

Ndaj vendimit të fundit reaguan edhe Kanbera dhe Velington.

Ministri australian i Tregtisë dhe Turizmit, Don Farell, deklaroi se tarifat e reja të vendosura nga aleati amerikan janë “të pajustifikuara”.

“Këto tarifa janë të pajustifikuara, në kundërshtim me marrëveshjen tonë të tregtisë së lirë dhe duhet të hiqen”, deklaroi Farell.

Homologu i tij nga Zelanda e Re, Kristofer Lukson, gjithashtu dënoi tarifat e reja amerikan, duke i quajtur ato “jashtëzakonisht zhgënjyese”.

Hetimi i kryer nga SHBA-ja për të përcaktuar nëse partnerët e saj tregtarë i kanë hequr plotësisht produktet e prodhuara përmes punës së detyruar nga zinxhirët e tyre të furnizimit “nuk ka siguruar prova të rëndësishme për të mbështetur pretendimet për punë të detyruar”, shkroi Lukson në platformën sociale “Iks”.

Lajme te lidhura

spot_img