Dy nga plazhet më të veçanta të Rivierës Shqiptare, Gjiri i Gramës dhe Gjiri i Gjipesë, janë përfshirë në listën prestigjioze të 50 plazheve më të mira në Europë për vitin 2025, e publikuar nga platforma globale “The World’s 50 Best Beaches”.
Sipas renditjes, Gjiri i Gramës zë vendin e 12-të, ndërsa Gjiri i Gjipesë pozicionohet në vendin e 30-të, duke lënë pas plazhe të njohura të Italisë, Spanjës, Greqisë dhe Francës.
Ky vlerësim bazohet në një përzgjedhje të kujdesshme nga rreth 1,000 profesionistë udhëtimesh, ambasadorë plazhesh dhe një juri ndërkombëtare, të cilët marrin në konsideratë elementë si autenticiteti, natyra e paprekur, qetësia dhe përvoja unike që plazhi ofron.
Gjiri i Gramës, një perlë e izoluar e Detit Jon, tërheq vëmendjen me ujin kristal dhe masivet shkëmbore që e rrethojnë, duke krijuar një ambient unik dhe të pastër.
Gjiri i Gjipesë, i vendosur në hyrje të një kanioni spektakolar, njihet për pamjet mahnitëse dhe atmosferën e qetë që ofron, duke u bërë një nga simbolet e ekoturizmit në Shqipëri.
Përfshirja në këtë listë është një tjetër dëshmi e potencialit turistik të Shqipërisë, e cila po ngjitet gjithnjë e më shumë si një destinacion elitar në Mesdhe.



