Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Izet Mexhiti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë bilancin e vitit të parë të qeverisjes, duke theksuar se ky vit ka shërbyer për të hedhur themelet e një ndryshimi thelbësor në vend.
Sipas tij, edhe pse “një vit nuk është shumë”, ai është i mjaftueshëm për të parë drejtimin e ri dhe ndryshimet e para. Mexhiti theksoi se qeveria aktuale mori mandatin në një kohë të vështirë, duke e përshkruar gjendjen e trashëguar si “një vend të përmbytur nga krimi, korrupsioni, padrejtësia dhe harresa”.
Në postimin e tij, Zëvendëskryeministri nënvizoi se strategjia e tyre nuk ishte ankesa, por veprimi i menjëhershëm. “Vendosëm të mos ankohemi, por të veprojmë. Ta ndryshojmë dhe ta çojmë përpara vendin. Të punojmë për qytetarët tanë,” shkroi ai.
Mexhiti e cilësoi vitin e kaluar si një “kthesë historike” veçanërisht për shqiptarët dhe komunitetet e tjera që, sipas tij, për vite me radhë kanë pritur të ndihen të barabartë në këtë shtet.
Duke përmbyllur mesazhin e tij, Izet Mexhiti deklaroi se faza e parë e ndryshimit ka përfunduar me sukses. “Themelet e ndryshimit i hodhëm këtë vit të parë të qeverisjes. Tani fillon ndërtimi i një shteti ligjor, të fuqishëm e të barabartë për të gjithë,” përfundoi ai, duke sinjalizuar prioritetet e qeverisë për periudhën në vijim.



