Lidhja Shqiptare vlerëson se ndërtimi i Qendrës së re Klinike në Shkup duhet të trajtohet si prioritet kombëtar dhe projekt strategjik në interes të qytetarëve, duke theksuar se vendi nuk ka më kohë për vonesa dhe projekte të mbetura vetëm në letër.
Në reagimin e saj, partia rikujton se për më shumë se dy dekada është diskutuar për ndërtimin e kompleksit të ri klinik, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar mbi 10 milionë euro për studime, projekte, analiza dhe ekipe projektuese.
Sipas Lidhjes Shqiptare, pas ndërprerjes së kontratës në vitin 2018, shteti është përballur edhe me procese arbitrazhi ndërkombëtar, me kërkesa që, sipas tyre, arrijnë deri në 45,5 milionë euro për projektet në Shkup dhe Shtip.
“Pavarësisht shpenzimeve dhe diskutimeve shumëvjeçare, pacientët dhe personeli shëndetësor vazhdojnë të trajtohen dhe të punojnë në objekte të amortizuara dhe të papërshtatshme për nevojat e mjekësisë moderne”, thekson partia.
Lidhja Shqiptare i referohet edhe propozimit të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në lokacionin pranë Arenës “Boris Trajkovski”, me lidhje nëntokësore me Spitalin “8 Shtatori”, duke vlerësuar se kjo ide meriton debat profesional dhe publik.
“Një gjë është e padiskutueshme: Maqedonia nuk ka më kohë për projekte në letër. Qendra e re Klinike duhet të jetë prioritet kombëtar dhe projekt strategjik, i realizuar me konsensus dhe në interes të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.
Çështja e ndërtimit të Qendrës së re Klinike ka qenë prej vitesh një nga temat më të diskutuara në sektorin shëndetësor, ndërsa vendi ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për lokacionin dhe modelin e realizimit të projektit.



