Në ambientet e Muzeut të Luftës Maqedonase për Pavarësi u promovua libri “Arti i Komunikimit në Profesion” i autores dhe redaktores së Kulturës, Mr. Arlinda Kalisi. Manifestimin e hapi moderatorja Sara Hoxha, e cila e cilësoi ngjarjen si një aktivitet me rëndësi të veçantë kulturore dhe profesionale. Ajo e vlerësoi Arlinda Kalisin jo vetëm si gazetare dhe redaktore të Kulturës, por edhe si një personalitet me ndikim në jetën kulturore, e cila kësaj radhe paraqitet para publikut si autore e një vepre kushtuar komunikimit profesional.

Atmosfera e promovimit u pasurua me tingujt e violinës përmes performancës së violinistit Endrit Zajmi, i cili me interpretimin e tij artistik i dha një dimension të veçantë aktivitetit. Promovimi mblodhi personalitete nga fusha e arsimit, kulturës, komunikimit dhe medias, si dhe mysafirë të shumtë, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me përmbajtjen dhe mesazhet e veprës.
Libri trajton rëndësinë e komunikimit në jetën profesionale, duke ofruar perspektiva dhe qasje praktike mbi ndërtimin e marrëdhënieve profesionale, komunikimin efektiv dhe zhvillimin personal në mjedisin e punës. Të pranishmit vlerësuan kontributin e autores në trajtimin e një teme me rëndësi të veçantë për shoqërinë bashkëkohore.
Në promovim foli edhe recenzenti i librit, Demush Bajrami, njëherësh dekan i Fakultetit të Gjuhëve dhe Komunikimit, i cili vlerësoi lart rëndësinë e veprës “Arti i Komunikimit në Profesion”. Sipas tij, libri i Arlinda Kalisit pozicionohet brenda një tradite bashkëkohore që ndërthur studimet e komunikimit, sociologjinë e punës dhe studimet gjinore, duke u përqendruar në larmishmërinë e përvojave femërore.

“Është thelbësore për t’u theksuar se vepra e autores Kalisi shmang tërësisht idenë e një ‘modeli universal të komunikimit femëror’. Përkundrazi, vihet re argumentimi se çdo grua komunikon në mënyrën e saj, të formësuar nga profesioni, biografia personale, pozita në hierarki, mjedisi kulturor dhe natyra e vetë rolit që ajo luan. Një nga pikat më të forta të librit është strukturimi i tij në pjesë të veçanta. Ashtu siç gratë përfaqësohen në fusha të ndryshme profesionale, ashtu ndërtojnë edhe strategjitë e tyre të komunikimit. Duke u përballur me sfida të ndryshme, ato krijojnë hapësirë për veten dhe ndikojnë në mënyrën e komunikimit të kolegëve apo institucioneve”. Arlinda, tha Bajrami depërton në thellësi përmes një algoritmi që shndërrohet në kod komunikimi.
Kësisoj, gruaja dhe komunikimi përbëjnë një algoritëm të veçantë njerëzor, ku fjalët nuk rrjedhin vetëm nga mendja, por edhe nga zemra, përvoja dhe intuita. Në këtë algoritëm, çdo dëgjim bëhet mirëkuptim, çdo dialog shndërrohet në urë lidhëse, ndërsa çdo heshtje merr kuptim po aq sa fjala e shqiptuar. Gruaja komunikon jo vetëm për të transmetuar informacion, por për të krijuar afërsi, për të ndërtuar besim dhe për t’i dhënë zë emocioneve që shpesh mbeten të pathëna. Ashtu si një algoritëm i përsosur që përpunon me kujdes çdo të dhënë për të prodhuar rezultatin më të mirë, edhe komunikimi i gruas ndërthur ndjeshmërinë, mençurinë dhe empatinë, duke e kthyer bisedën në art, mirëkuptimin në forcë dhe marrëdhëniet njerëzore në hapësira ku fjalët nuk thuhen sa për t’u thënë, por jetohen”, u shpreh Bajrami.

Ndërkaq, recenzentja e librit, prof. dr. Laura Papraniku Adili, theksoi se me librin “Arti i Komunikimit në Profesion”, Arlinda Kalisi paraqitet para publikut si një autore me përvojë të gjatë dhe të suksesshme në gazetari. Sipas saj, edhe pse ky është libri i parë i autores, ai nuk mund të konsiderohet si vepra e saj e parë krijuese, pasi Kalisi ka ndërtuar ndër vite një karrierë të pasur përmes qindra emisioneve radiofonike dhe shumë shkrimeve autoriale të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme.
“Kjo është arsyeja pse përmes këtij libri ajo shfaqet si një autore me përvojë, librin e së cilës e karakterizon një stil origjinal i të shkruarit, qartësia në shprehjen e mendimeve, intuita në parashtrimin e materialit dhe shkathtësia në trajtimin e subjektit”, tha Papraniku Adili.

Ajo shtoi se ideja dhe synimi i autores është të dëshmojë se, njëjtë si në mbarë botën, edhe te shqiptarët nuk ka më profesione të rezervuara vetëm për burra apo vetëm për gra. Sipas saj, autorja fokusohet në ndikimin që kanë sukseset e grave në shoqëri, si dhe në sakrificat dhe përkushtimin që u është dashur për të thyer barrierat dhe tabutë që vazhdojnë të ekzistojnë.
Në fjalën e saj përmbyllëse, autorja Arlinda Kalisi u shpreh se libri “Arti i Komunikimit në Profesion” ka lindur nga përvoja e saj shumëvjeçare në komunikim dhe media, si dhe nga takimet me personalitete të ndryshme në emisionin “Femra Bashkëkohore”.

“Për mua, ky libër nuk është thjesht një botim, por rezultat i viteve të tëra dëgjimi, vëzhgimi, hulumtimi dhe reflektimi mbi rolin e komunikimit në jetën profesionale dhe shoqërore. Ai është një pasqyrë e përvojave, sfidave dhe sukseseve të grave që kanë ditur të ndërtojnë rrugën e tyre me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim”, theksoi Kalisi. Ajo shtoi se libri nuk është vetëm një përmbledhje intervistash, por një udhëtim nëpër histori suksesi, përvoja jetësore, analiza dhe studime mbi komunikimin në botën profesionale, me fokus të veçantë te gruaja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë.



