Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka lavdëruar Kosovën për harmonizimin vullnetar të politikës së jashtme të saj me atë të Bashkimit Evropian. Costa ka thënë se ky është sinjal i qartë i orientimit strategjik të Kosovës.
Në konferencë për media në Prishtinë, Costa ka pasur edhe një mesazh të qartë për liderët politikë të Kosovës para zgjedhjeve të 7 qershorit e ka thënë se këtë mesazh ua ka thënë edhe liderëve në takim me ta.
“Mesazhi im për liderët politikë ishte i thjeshtë, partneriteti vjen me përgjegjësi. BE-ja e mbështet Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e shtëpisë së Kosovës. Kosovës i duhen institucione të forta, të qëndrueshme e funksionale”, ka thënë Costa. Ai ka thënë se i ka inkurajuar akterët politikë që të kenë prioritet në politikën e tyre integrimin evropian.
Costa ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për rrugën evropiane si të Kosovës ashtu edhe Serbisë. Costa ka thënë se duhet të sigurohet që të zbatohet plotësisht marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.



