BallinaLAJMEMaqedoniHatixhe Ismaili nga “Radio Shkupi”: OEMVP e padrejtë ndaj mediave që e...

Hatixhe Ismaili nga “Radio Shkupi”: OEMVP e padrejtë ndaj mediave që e kanë mbështetur me vite

Gazetarja e ekonomisë, njëherësh redaktore e emisionit “Ekonomia” në Radio Shkupi, Hatixhe Ismaili, ka reaguar ndaj qasjes selektive të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), e cila gjatë shënimit të jubileut të saj të 20-të nuk e ka përfillur median që për vite me radhë ka qenë mbështetëse e aktiviteteve të saj.

Ismaili thekson se në kohën kur askush nuk i kushtonte vëmendje kësaj organizate, madje kur disa media e kundërshtonin dhe e sabotonin, Radio Shkupi ishte mediumi që e priti me dyer të hapura dhe i dha hapësirë të vazhdueshme.

“Kur shumë dyer ishin të mbyllura për Odën, Radio Shkupi e mbajti derën gjithmonë të hapur.

Me rastin e 20-vjetorit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, dua të shpreh urimet e mia të sinqerta për këtë jubile të rëndësishëm.

Por, njëkohësisht, nuk mund të mos kujtoj vitet e para të saj. Në kohën kur Oda po hidhte hapat e parë, shumë dyer ishin të mbyllura. Kishte media që nuk e mbështetën, madje edhe e kundërshtuan ekzistencën dhe misionin e saj.

Në ato kohë, Radio Shkupi ishte ndër të paktat media që e mbajti derën gjithmonë të hapur. Pa hezitim, me profesionalizëm dhe përkushtim, ajo përcolli aktivitetet, iniciativat dhe sfidat e Odës, duke qenë pranë saj kur kjo mbështetje kishte më së shumti nevojë.

Prandaj, është e vështirë të kuptohet se si sot vlerësohen ata që dikur qëndruan anash, ndërsa harrohen ata që ishin pranë që nga fillimi. Megjithatë, Odës i uroj suksese të mëtejshme dhe shpresoj që në të ardhmen të mos harrohen ata që i qëndruan pranë kur rruga ishte më e vështirë.”, thuhet në reagimin e saj.

 

Lajme te lidhura

spot_img