Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka publikuar logon dhe moton e re politike, të shoqëruar me mesazhin “Siguri dhe begati – Mos lësho pe!”, duke theksuar angazhimin për vazhdimin e reformave dhe shërbimin ndaj interesit publik.
Në mesazhin e tij, Kurti thekson se nuk do të ketë tërheqje nga, siç i quan ai, “punët e mira dhe shërbimi ndaj të mirës së përbashkët”.
“Nuk do të heqim dorë nga punët e mira e shërbimi ndaj të mirës së përbashkët. Nuk do të lëshojmë pe nga përpjekja jonë për një Republikë më të mirë, më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar,” shkruan Kurti.
Ai u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të bashkuar në këtë rrugë, duke theksuar se synimi është ndërtimi i një Kosove më të begatë, ku përfitimet të jenë për të gjithë, pa dallim.
“Le të mos lëshojmë pe së bashku që Kosova të jetë shtet më i begatë për qytetarët e saj, ku përfitojnë të gjithë, pa dallim,” thekson Kurti.
Publikimi i logos dhe motos vjen në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, në të cilat VV synon 500 mijë vota.(INA)



