BallinaKulturëNë Cyrih të Zvicrës, promovohen tre libra të autorit Emin Azemi

Në Cyrih të Zvicrës, promovohen tre libra të autorit Emin Azemi

Të shtunën më 25 janar,  në praninë e dhjetëra lexuesve dhe intelektualëve të Kantonit të Cyrihut, në Bibliotekën Pestalozi janë promovuar tre tituj nga kolona e veprave të fundit të shkrimtarit dhe publicistit Emin Azemi.

Drejtoresha e Bibliotekës Pestalozi, Suela Jorgaçi, në cilësinë edhe të bashkëorganizatores së këtij promovimi, falënderoi autorin që ka zgjedhur pikërisht këtë vatër të librit për të promovuar librat e tij.

Ajo gjithashtu kërkoi që kultura e leximit të përhapet më tepër në familjet shqiptare në Zvicër, kjo edhe për faktin se biblioteka që ajo drejton ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në shërbim të lexuesve, sidomos të gjeneratave të reja që janë të interesuar për libra shqip, që nuk mungojnë në këtë bibliotekë.

Poeti Bujar Salihu, në cilësinë e promotorit dhe panelistit të këtij promovimi, shprehu kënaqësinë që viti 2025 po hapet me një përurim të një vepre tri vëllimshe të një autori shumë të veçantë, që shfaqet jo vetëm bindës por gjithsesi edhe tejet sugjestiv duke e gërshetuar këtë me estetikë narrative e cila, sipas tij, autorin e bënë një nga penat më kredibile në publicistikën e sotme shqiptare dhe jo vetëm.

“Kolana e librave me shkrime eseistike-publicistike, “Helena e epikës sonës tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” e që përmbyllet me vëllimin “A kurohet mendësia”, vjen natyrshëm pasi që rrumbullakon një cikël shkrimesh të autorit të filluara këtu e dy dekada më parë, duke u sublimuar si një projekt kapital e shumë voluminoz në formë idesh të përdegëzuara brenda kopertinave të këtyre libave”, nënvizoi Bujar Salihu.

Sipas Salihut në këtë kolanë librash përshkruhet në mënyrë maestrale jeta jonë me lëvizje anakronike dhe me paradokse të përcjella me zhurmat e një pale dhe heshtjen e palës tjetër, me krekosjen e disave dhe, siç tha ai, përuljen e të tjerëve.
“Krahas mugëtirës që e mbulon këtë kohë të ngërthyer brenda kopertinave të këtyre librave, përshkon edhe një rreze e theksuar drite. Dhe, kjo dritë është puna me përkushtim e autorit, rrëfimi i qartë, doemos edhe mesazhet humane që përcjell ai”, theksoi Salihu.

Shkrimtari dhe artisti figurativ, Gani Bytyçi, pasi paraqiti një profil të përgjithshëm të autorit, Emin Azemi, tha se librat që po promovohen sot janë produkt i një analize të thuktë publicitike e eseistike dhe kjo ka ardhur si pasojë e vëzhgimeve të holla që autori i ka bërë në laboratorin e tij krijues. Sipas Bytyçit, gjithë diskursi shkrimor i këtyre veprave bazohet në një stil të veçantë që autori e kultivon, e që është rezultat i formimit dhe pjekurisë së tij intelektuale e profesionale.

Lajme te lidhura

spot_img