Personat me diabet mund të konsumojnë ëmbëlsira, por me shumë kujdes dhe gjithmonë në mënyrë të kontrolluar.
Sipas mjekëve, moderimi është çelësi, ndërsa lloji dhe sasia e ëmbëlsirave duhet të përcaktohen në bashkëpunim me profesionistët shëndetësorë. Ushqimet e ëmbla janë një burim i drejtpërdrejtë i glukozës, ndaj teprimi me to mund të çojë në hiperglicemi dhe pasoja të tjera të rënda për shëndetin.
Ndërkohë, në disa raste, si te diabeti i tipit 1 gjatë aktivitetit fizik, ato mund të ndihmojnë për të rritur sheqerin në gjak.
Mjekët theksojnë se ëmbëlsirat duhen shoqëruar me fibra për të ngadalësuar përthithjen e sheqerit dhe se koha më e mirë për t’i konsumuar është pas vakteve të plota ose gjatë/pas aktiviteteve fizike që zgjasin më shumë se një orë.
Një kuptim i mirë i mënyrës si funksionon diabeti është i domosdoshëm, kur hani karbohidrate, niveli i glukozës në gjak rritet, dhe insulina ndihmon që ajo të futet në qeliza për t’u kthyer në energji.
Te diabetikët, ky proces është i dëmtuar, ndaj është e nevojshme ndjekja e trajtimeve me ilaçe apo insulinë.
Për të menaxhuar më mirë dëshirën për ëmbëlsira, këshillohet të shmangen pijet me sheqer, të kufizohet konsumi i frutave në tre në ditë dhe të praktikohen aktivitete fizike të lehta si ecja.
Personat me diabet nuk kanë pse t’i heqin plotësisht ëmbëlsirat nga dieta, por kjo kërkon një qasje të vetëdijshme, me planifikim dhe ekuilibër, si pjesë e një stili jetese të shëndetshëm.



