Shkruan: Safit Zeqiri
Në ciklet e fundit zgjedhore presidenciale në Maqedoninë e Veriut, partitë shqiptare disa herë kanë propozuar kandidatë për president të shtetit. Edhe pse këto kandidatura nuk kanë prodhuar fitues, ato kanë shërbyer si sinjal i rëndësishëm politik. Shqiptarët nuk janë më vetëm faktor numerik në skenën politike, por duan të jenë edhe pjesë e barabartë në institucionet më të larta të vendit. Por ndërkohë që kemi pasur kandidatë për president të shtetit, ndoshta pyetja që shtrohet më natyrshëm është kjo: A është koha për një kandidat shqiptar për kryetar të qytetit të Shkupit? Shkupi – Qytet multietnik, qytet i përbashkët i të gjithëve – me komunitete të ndryshme, kulturë të pasur dhe histori të përzier. Megjithatë, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, udhëheqja e qytetit të Shkupit ka qenë gjithmonë në duart e përfaqësuesve maqedonas.
Asnjëherë, asnjë shqiptar nuk ka qenë as afër marrjes së këtij posti, ndonëse shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë së qytetit dhe janë faktor kyç në disa nga komunat më të mëdha të tij. Ka disa arsye për këtë situatë, së pari, ndarja etnike e votës dhe strukturimi urban e bëjnë të vështirë që një kandidat shqiptar të fitojë pa një bashkëpunim ndër-etnik. Së dyti, partitë shqiptare shpesh hyjnë të ndara në zgjedhje lokale, duke e fragmentuar elektoratin. Dhe së treti – por jo më pak e rëndësishme – ekziston një barrierë e heshtur politike dhe kulturore. Shumëkush në politikën maqedonase ende nuk është i gatshëm të pranojë që një shqiptar ta udhëheqë kryeqytetin. Por koha nuk është ndalur. Shkupi sot nuk është ai i viteve të 90-ta, brezat e rinj janë më të hapur, më pak të ndikuar nga narrativat e vjetra. Edhe vetë qyteti është transformuar – ka lagje që janë bërë modele bashkëjetese, e qytetarët gjithnjë e më shumë kërkojnë zgjidhje për problemet e përditshme, jo përkatësi etnike. Në këtë kuptim, një kandidat shqiptar për Shkupin nuk është më çështje provokimi, por e drejte demokratike dhe opsion politik real.
Sigurisht, një kandidat i tillë nuk duhet të kërkojë vota vetëm nga shqiptarët, por të paraqesë veten si alternativë për gjithë qytetin. Me platformë të qartë, me vizion urban, ekologjik dhe zhvillimor, jo me flamuj dhe emocione. Do të ishte një akt simbolik i pjekurisë politike të vendit, dëshmi se bashkëjetesa nuk është vetëm slogani i ndonjë raporti ndërkombëtar, por realitet i ndërtuar me hapa konkretë. Do të ishte sinjal i fortë se Shkupi u përket të gjithëve dhe se e ardhmja e tij nuk është peng i së kaluarës. Një kandidat i tillë duhet të ketë një vizion gjithëpërfshirës: urbanizëm të mençur, qasje moderne ndaj mjedisit, transparencë në qeverisje dhe zhvillim të barabartë të të gjitha komunave të qytetit. Ai apo ajo duhet të flasë për çështje konkrete, të sillet si menaxher i qytetit, jo si përfaqësues flamujsh e identitetesh. Vetëm në këtë mënyrë ai mund të tejkalojë paragjykimet dhe të shndërrohet në alternativë reale për të gjithë qytetin.
Nëse në një të ardhme të afërt një shqiptar do të drejtonte Shkupin, do të ishte më shumë se një fitore politike. Pra, do të ishte një fitore e mentalitetit qytetar mbi ndarjet etnike. Dhe nëse kjo ndodh, atëherë do të mund të themi me bindje se Maqedonia e Veriut po ecën drejt një shoqërie vërtet demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë.



