BallinaNë fokusNe jemi bërë për të ndryshuar!

Ne jemi bërë për të ndryshuar!

Së pari, bashkëqeverisja kërkon respektimin e gjuhës, kulturës, të drejtave dhe barazisë. Ndërkaq mekanizmat shtetëror përdoren kundër këtyre. Së dyti, shqiptarët shikohen si numra, si statistikë minore dhe jo si përgjegjësi mbase është pjesa më e madhe me numra dhe statistikë. Së treti, është evident fakti se Maqedonia po maqedonizohet madje edhe serbizohet, ndërsa shqiptarët nuk trajtohen seriozisht si faktorë bartës i shtetit

Nga Prof. Xheladin MURATI

Shpejtësia e kohës sonë na nxit që edhe në dizajnimin e jetës të rregullojmë më mënyrë të tillë, pra të shpejt, që jeta të na ndjek midis hidhërimeve, gëzimeve dhe evolucioneve të ditës, qofshin të mëdha apo të vogla. Ne jemi bërë për të ndryshuar dhe ndryshimi duhet të jetë një mundësi e që shoqëron ndryshimet tona dhe ky ndryshim karakterizohet me politikë. Politika është bërë hapësirë jonë më e madhe dhe ajo ka përfshij familjet, shtëpitë. Tash më nuk ka kufij midis zonës ku bëhet politika dhe zonës ku njeriu është i lirë. Pra politika ka hyrë në çdo pore të jetës dhe në çdo qelizë të njeriut. Kjo është e keqja. Prandaj sot ka ardhur koha të përkufizojmë hapësirën politike, e cila reflektohet tek njeriu në çdo gjendje e në çdo situatë. Sot përballemi me kundërshti politike, të cilat vazhdojnë të jenë të paqarta dhe po ato kundërshti nxisin nervozizëm e trazira që po krijojnë marrëdhëniet e saj me njeriun. Në politikë e rëndësishme është që gjërat të jenë të hapura.

NJERIU MES POLITIKËS DHE PUNËS

Edhe pse në pamje të parë duket sikur politika, puna dhe jeta nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, unë mendoj se i ndihmojnë shumë njëra-tjetrës, madje politika. Këtu te ne është bërë faktori determinues i jetës në çdo veprimtari. Politika, për shembull, vendos për çdo gjë, për punësim, për kryerje shkolle, për marrje diplome etj. Por politika në të shumtën e rasteve e kultivon disiplinën, këmbënguljen dhe durimin te njeriu. Kjo sepse duhet të vraposh, pas partisë, të jesh besnik i saj, të vraposh të fitojë partia përndryshe nuk hysh në punë apo nuk zgjidhesh mësues, profesor, drejtor sepse meritokracia profesionale nuk vlen. E rëndësishme është vetëm përkatësia partiake.

Por kur një grup njerëzish shohin dhe përjetojnë politikën e krijuar nga to dhe me votën e qytetarit, ata mburren me arritjet e tyre edhe pse premtimet e dhëna nuk arrin ti realizojnë. Kur personi mesatar përjeton dhe shijon politikën pa u ndjerë i rehatshëm sepse i mungojnë dijet, vlerat, kompetencat dhe nuk e kupton se politika është për njerëz të arsimuar, megjithë atë ai hipën shkallëve të politikës si elitë dhe me qenë edhe murator bëhet ministër.. Këtu kultura politike ndryshon nga moskuptimi ose kujdesi për politikë të sinqertë, për mbështetjen dhe vlerësimin e politikanit dhe aftësitë e tij. Politikës nuk i intereson a ke aftësi komunikuese, a je person me vlera sociale dhe i aftë që të punosh në ekip apo nën presion, ajo shikon përfitimit e saj.

CILI ËSHTË PROGRAMI APO SYNIMI I KËTIJ GRUPACIONI NJERËZISH?

Misioni i politikës është të ofrojë mundësi për njerëzit e rinj dhe jo vetëm, për profesionistët të zhvillohen, të participojnë në shoqëri përmes institucioneve përkatëse, ta rrisin ndërgjegjësimin e komunitetit konkret atij shqiptar, vlerësimin dhe mbështetjen e tij. Politika duhet të inkurajoj njeriun të zhvillohet, të krijoj dhe të ofroj ide të reja, zgjidhje të problemeve, kështu ata mund të avancojnë karrierën e tyre bazuar vetëm në njohjet, kulturën dhe dijet e tyre. Po qytetari me siguri është kurioz të dijë se si funksionon politika sot? Po, besoj se të gjithë e dinë se politika sot është e kapu sikurse edhe shteti që është i kapur. Politika bëhet me korrupsion, vjedhje, zhvatje, gënjeshtra e të ngjashme, kjo është ana më e errët e politikës që zhvillohet në shoqërinë tonë. Pse ndodh kjo? Për arsye të lakmisë së njeriut për pushtet dhe harrojnë se lakmia kthehet në të kundërtën e saj, të mbyt përpara se ky zjarr të të fashitet.

Unë politikën e kuptoj si faktor ku njerëzit duhet të jenë të sinqertë, të lirë dhe e treta, ta ndiejnë se ka një lloj drejtësie në shoqëri. Megjithatë, ne jetojmë në një shoqëri absurditeti ku nuk respektohen këto tre elemente madje njëra palë shtypet nga tjetra, i mohohet e drejta, qenia kombëtare, e drejta të shprehet në gjuhën amtare etj. etj.

PSE NDODH KJO?

Ka më shumë arsye. Së pari, bashkëqeverisja kërkon respektimin e gjuhës, kulturës, të drejtave dhe barazisë. Ndërkaq mekanizmat shtetëror përdoren kundër këtyre. Së dyti, shqiptarët shikohen si numra, si statistikë minore dhe jo si përgjegjësi mbase është pjesa më e madhe me numra dhe statistikë. Së treti, është evident fakti se Maqedonia po maqedonizohet madje edhe serbizohet, ndërsa shqiptarët nuk trajtohen seriozisht si faktorë bartës i shtetit. Së katërti, shteti në çdo mënyrë shikon ta minimizojë faktorin shqiptar, kurse ata janë 31 për qind e jo 20 për qind.

ELEMENTET E POLITIKËS

Politika është një veprimtari, e cila gjithmonë dëshiron dhe synon diçka. Prandaj, dhe nga kuadri i politikës duhet të merren parasysh elementet që e përbëjnë atë. Në vazhdim do të ceki disa nga këto elemente:

POLITIKA DHE NJERËZISHMËRIA

Në politik para së gjithash duhet të jesh njeri. Kjo nënkupton se në politikë duhet të kesh sjellje të mirë, fisnike e të përzemërt me njerëzit, të kesh nderim ndaj njerëzve dhe ve sjelljet e vetitë personale të dallohesh nga të tjerët (sjellje njerëzore, qëndrim njerëzor). Pra elementi themelor i një politikani është njerëzishmëria që mishëron vetitë më të mira të njeriut si fisnikërinë, durimin,, sjelljen e pakompremetuar, jo korruptive e të ngjashme

POLITIKA DHE SINQERITETI

Një nga elementet e para të politikës është sinqeriteti apo sa politikani vepron me sinqeritet. Sinqeriteti do të thotë të thuhet dhe të shprehet e vërteta. Në fakt, sinqeriteti është veti e rëndësishme, sepse e vë në pah çiltërinë e veprimit, shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave personale, të pa ndikuara nga dikushi ashtu siç i ka dhe si mendon, nuk shprehet me dredhi, i shtirur. E kundërta e sinqeritetit është hipokrizia, gënjeshtra.

POLITIKA DHE REALITETI E OBJEKTIVITETI

Dy elementet vijuese janë shumë të rëndësishme për të udhëhequr politikë funksionale. Politika reale, objektive do të thotë se veprimet politike përputhen me këto. Politika i merr në konsideratë kushtet dhe rrethanat reale, objektive të shoqërisë, të qytetarit, të veprimtarisë që kryen. Pra nuk merret me sende që i përfytyron, që i imponohen. Kjo nënkupton se në politikë duhet të njihet realiteti shoqëror, realiteti historik dhe realiteti shqiptar. Politika nuk bëhet me ëndrra i shkëputur nga realiteti edhe pse ndonjëherë realiteti është i hidhur..

POLITIKA DHE PËRGJEGJËSIA

Përgjegjësia është ndjenjë personale e atij që merret dhe udhëheq politikë. Ajo është ndjenjë më e artë që ka dhe që e dallon një njeri në veprimtarinë e tij politike, meqë ai merr përsipër detyra dhe obligime shoqërore që duhet ti kryeje për të mirën e qytetarit.. Ndjenja e përgjegjësisë politike shpesh ndodhë të anashkalohet për interesa personale apo grupore, politike e partiake. Për veprimet pa përgjegjësi politikani përballet me pasoja. Përgjegjësia politike ka edhe dimensionin e saj moral-etikë. Sensin e përgjegjësisë dhe etikën e veprimit politik që përçojnë politikanët te qytetarët duhet të jenë shumë domethënëse. Sepse kjo është çështje e ndershmërisë “Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë”, thotë Tomas Xhefersoni.

POLITIKA DHE PËRKUSHTIMI

Përkushtimi si element politik do të thotë punën tënde ta bësh me nderë, vullnet dhe ideal. Ai që punon me përkushtim është përherë në përpjekje për tu përmirësuar, për të tejkaluar vetveten dhe kushtet nga ka hyrë në politik. Përkushtimi në politikë nënkupton se individi është shumë kërkues si ndaj vetes ashtu edhe realitetit. Kjo bënë që edhe përgjegjësinë ta kërkojë te vetja. Për të arritur një qëllim duhet të besojmë te vetja, të guxojmë të marrim vendime, mos e nënvlerësojmë vetveten dhe mos largohemi kurrë nga vetja.

POLITIKA DHE POLITIZIMI E PARTIZIMI I INSTITUCIONEVE

Para së gjithash, të ndalojmë politizimin dhe partizimin e qytetarit dhe institucioneve arsimore, edukative dhe jo vetëm. Mendoj se gjëja më shkatërruese për arsimin, edukimin dhe shkollën dhe jo vetëm në përgjithësi është prania e politikës kudo brenda dhe rreth tyre. Depolitizimi dhe departizimi i tyre është domosdoshmëri që nënkupton pavarësinë e tyre.

POLITIKA DHE BESIMI

Besimi është një fuqi e madhe që realizon bashkëqeverisjen. Ai është një ushtrim vazhdueshëm që nuk duhet lënë anash. Besimi te njëri tjetri do të thotë se meriton gjithçka që synon dhe dëshiron. Prandaj politikan të nderuar maqedonas guxoni të merrni vendime dhe të dilni nga zona e juaj e shpirtngushtësisë dhe rehatisë. Përballuni me kërkesat e shqiptarëve sepse ato janë shumicë e madhe dhe nuk janë kundër jush. Çështja e besimit në politikë vjen përmes të kuptuarit të punës që bësh si dhe nga pozicionet e tjetrit, e kontekstit, e kufizimeve, vlerave apo bindjeve që mbartë. Megjithatë, besimi i humbur ose i dëmtuar mund të rifitohet sërish, por me më tepër punë.

Këtë aspekt të politikës e shikojë në vazhdimësi kohore jo vetëm sot, por që nga instalimi i politikës pluraliste, pra demokracisë dhe distancimit nga komunizmi, i cili për fat të keq edhe sot është aktual te disa parti politike. Prandaj si çdo punë apo veprimtari tjetër që ka sfidat e saj edhe politika i ka pasur dhe i ka edhe sot. Politikanët e e nismës së demokracisë nuk e kanë pasur të lehtë veprimin e tyre në një vend siç është Maqedonia. Megjithatë këta politikan nuk u dorëzuan përpara politikave të partive maqedonase. Jemi përpjekur gjithmonë që me të vërtetë politikën ta kuptojmë drejtë, mos të jetë një veprimtari argëtimi, por një mundësi e madhe zhvillimi ekonomik, të krijojmë një shoqëri të drejtë e të barabartë për të gjithë, të kthejmë të drejtat e shqiptarëve, të drejtën e gjuhës amtare, të drejtën e arsimit, kulturës, të drejtën e pjesëmarrjes të barabartë në pushtet etj. Por politika maqedonase gjithnjë nxirrte pengesa para dhe kjo edhe sot është e pranishme. Kjo do të thotë se Maqedonia, partitë politike maqedonase, politika maqedonase nuk vetëdijesohet se shqiptarët e mbajnë Maqedoninë, se ato janë faktor kohezioni dhe stabiliteti, se ato meritojnë të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Çdo reduktim i këtyre të drejtave nuk shkon në favor të Maqedonisë.

KUR BESIMI ËSHTË FUQI

Nëse besojmë në politikën që bëjmë dhe në politikën që udhëheq pushteti vështirësitë tona do të jenë më pak të rënda dhe me lehtësi do të realizohen planet dhe kërkesat. Për të besuar te politika duhet të respektohen të drejtat, barazia, interesi, të eliminohet korrupsioni, të rritet barazia, të krijohet ambient relaksues në marrëdhëniet ndëretnike, sepse po të mungoj besimi fillon bojkotimi, pakënaqësia, revolta, trazira. Kur besimi është fuqi edhe pushteti bëhet i fuqishëm dhe stabil, reflekton mirëqenie. Ambiciet me të vërtetë nuk përfundojnë këtu për popullatën shqiptare, por duket se politika do të pushtojë edhe më thellë jetën e tyre. Përtej kësaj që shohim sot në zonën politike, strukturat aktuale politike punojnë intesivisht për të ndërtuar një program politik cilësor, por atyre u mungon strategjia e veprimit, u mungon uniteti, më të fuqishme janë përçarjet, ndarjet, ofendimet, fyerjet se sa bashkëpunimi. Pozita dhe opozita shqiptare duhet të vetëdijesohet, të bëhet një sepse atëherë paraqet forcë veprimi dhe vetëm ashtu mund të realizohen kërkesat shqiptare. Përndryshe ndodh defaktorizimi i tyre në heshtje..

Të gjitha këto elemente apo qasje na tregojnë vlerësimin ose nënvlerësimin e vetes. Prandaj në politikë nuk duhet të lihen pas vlerat, duhet të maten hapat dhe veprimet, pa pasur frikë se çka mund të mendojnë të tjerët.

Si përfundim: Politika nuk ka nevojë që njeriu të krenohet me të, por kërkon politikan që atë e kuptojnë dhe dinë ta realizojnë. Politika do të thotë politikani të dalë nga zona e rehatisë dhe të përballet me sfidat e shumta të natyrave të ndryshme. Politika që sheh te qytetari një konsumator të thjeshtë apo një politikë që e sheh atë thjeshtë si një votë, një herë në katër vjet është politikë dështuese. Reagimi qytetar, kontributi qytetar dhe ndërgjegjja qytetare janë elemente politike që krijojnë parime dhe vlera për shtet demokratik. (koha.mk)

Lajme te lidhura

spot_img