Memedali Jusufi
“Ata që dinë, bëjnë. Ata që kuptojnë, japin mësim.” (Aristoteli) “Unë kurrë nuk i mësoj nxënësit e mi; Unë vetëm përpiqem të siguroj kushtet në të cilat ata mund të mësojnë.” (Albert Ajnshtajni) “Edukimi nuk është mbushja e një gotë bosh, por ndezja e zjarrit”. (W.B. Yeats) Dikur thuhej me mburje se mesuesi eshte dinjiteti jone. Pedagogos apo mesuesi ne antike ishte nje arritje e madhe, percjellje e femijeve eshte perkthimi i fjales pedagogos . Njerez te famshem si Filipi i II per mesues apo pedagog per birin e tij zgjodhi filozofin e famshem Aristotelin . Aristoteli citohet të ketë thënë se “dinjiteti nuk qëndron në zotërimin e ndereve, por në ndërgjegjjen se ne i meritojmë ato”. Domethënë, “vetëm një njeri që është i ndërgjegjshëm për nderet, meriton të nderohet”, mund të quhet “i/e denjë”. Përcaktimin e Aristotelit e plotëson fjalori ynë kur thotë se “dinjiteti lidhet me tërësinë e vlerave morale të njeriut Trajtimet e para në fushën e arsimit, edukatës dhe pedagogjisë i bënë filozofët antikë, veçanërisht sofistët, si dhe Sokrati, Platoni e Aristoteli. Platoni pikëpamjet e tij mbi sistemin e edukimit dhe arsimit i paraqiti në veprën “Shteti”. Shqyrtime të ngjashme dhanë edhe filozofë të tjerë, dhe të gjithë ata trajtuan vetëm arsimimin e të rinjëve të skllavopronarëve dhe drejt interesave të klasës sunduese. Pavarësisht këtij kufizimi, këto trajtime kanë çuar në zhvillimin e pedagogjisë, sepse ato janë imponuar nga nevoja për një sistem gjithëpërfshirës të arsimit, edukimit të fëmijëve nga një moshë e re dhe njerëzit të cilët do të duhej të merreshin në mënyrë profesionale me arsimin. Në Romën e lashtë u dallua sidomos Quintiliani i cili veçanërisht theksonte zhvillimin e metodave të të folurit dhe edukimin oratorik. Pas mesjetes, Rilindja, ndër të tjera, solli lulëzimin e arsimit dhe mendimit pedagogjik. Në këtë periudhë u shquan sidomos, Vitorino da Feltre, Erazmo i Roterdamit, Ludvig Vivesi, François Rabelais dhe të tjerë. Humanistët insistojnë veçanërisht në pasurimin e përmbajtjes mësimore që duhet të mësohet, sidomos me shkenca natyrore dhe në histori, të cilat ishin lënë pas dore në të kaluarën, në metodat e reja të arsimimit, në marrëdhënie më humane me fëmijën, nevojat dhe mundësitë e të cilëve tani bëhen më të rëndësishme, futja e edukimit të detyrueshëm fizik etj. Tomas Mori jep pikëpamjet e tij utopike mbi edukimin, dhe në këtë mënyrë shërbeu si bazë për rendin e ardhshëm socialist. Në këtë periudhë u dallua edhe pedagogu çek Jan Amos Komenski (1592-1670), i cili nuk është vetëm një teoricien i thjeshtë, por edhe një personalitet që ka kontribuar edhe në realizimin e koncepteve dhe pikëpamjeve të tij. Në idetë e tij ai shtron nevojën e arsimimit të një mase të gjerë njerëzish duke kombinuar filozofinë natyrale të Rilindjes dhe pikëpamjen materialiste të filozofit anglez Francis Bacon. Komenski mund të konsiderohet si themelues i didaktikës dhe vepra e tij “Didaktika e madhe” (anglisht: Great didactica; latinisht: Didactica magna) është njëri nga tekstet e para të pedagogjisë (didaktikës). Ai është veçanërisht meritor për futjen e sistemit klasë-orë-lëndë, si dhe trajtimin e disa parimeve pedagogjike të cilat i mbështeti me argumente. Komenski gjithashtu ka shkruar një varg tekstesh që janë përdorur për një kohë të gjatë në Evropë dhe gjithashtu ka ndihmuar në organizimin e arsimit në shumë vende, si Angli dhe Suedi. Sidoqoftë, koncepti i tij pedagogjik nuk është i përjashtuar nga ndikimi i fesë, veçanërisht në fushën e edukimit moral. Në epokën moderne arsimi përjetoi transformime të mëdha shoqërore dhe kulturore, ku ai u bë një mjet i fuqishëm për formimin e individëve dhe shoqërive. Pas Revolucionit Francez, arsimi filloi të shihet si e drejtë e çdo qytetari dhe jo më vetëm për elitën. Ky ishte fillimi i krijimit të një sistemi të standardizuar të arsimit publik që u ndikua nga idetë e iluminizmit dhe barazisë. Gjatë kësaj periudhe, filozofë të tillë si John Locke, Jean-Jacques Rousseau dhe Immanuel Kant kontribuuan në teoritë arsimore që theksuan rëndësinë e edukatës për zhvillimin e individëve dhe qytetarëve të përgjegjshëm. Locke besonte se njohuritë vijnë nga eksperienca dhe ndjesitë, ndërsa Rousseau e shpalli edukimin si një proces natyral, që nuk duhet të kufizohej nga autoriteti. Kant theksoi rëndësinë e disiplinës dhe sistemit në arsimin e fëmijëve për të përgatitur ata për të qenë pjesë e shoqërisë. Një ndër pedagogët më të njohur të kësaj periudhe ishte Johann Friedrich Herbart, i cili zhvilloi një qasje sistematike dhe të strukturuar për edukimin, duke e kthyer pedagogjinë në një shkencë të pavarur. Friedrich Fröbel kontribuoi gjithashtu në zhvillimin e arsimit parashkollor, duke krijuar konceptin e kopshteve, që e vendosi lojën dhe aktivitetet praktike në qendër të mësimit për fëmijët. Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, zhvillimi i arsimit mori një drejtim të ri për shkak të industralizimit dhe urbanizimit, me fokus në arsimin e masave dhe krijimin e mundësive për studime profesionale dhe të larta. Ky proces solli krijimin e institucioneve të reja dhe standardizimin e arsimit për të përgatitur individët për një shoqëri industriale. Shekulli XX ishte një periudhë e ndryshimeve të thella dhe transformimeve në fushën e arsimit. Pas Luftës së Parë Botërore, shumë shtete filluan të investonin në zhvillimin e arsimit si një mjet të rëndësishëm për modernizimin dhe përmirësimin e shoqërive të tyre. Arsimi u bë një prioritet në nivel global, duke synuar përgatitjen e individëve për sfidat e një bote të re dhe të ndërlikuar. Në këtë periudhë, disa figura të njohura si Maria Montessori, John Dewey dhe Paulo Freire bënë reforma të rëndësishme në teorinë dhe praktikën e arsimit. Montessori e zhvilloi metodën e saj që bazohej në lirinë e fëmijës për të mësuar përmes eksperiencës dhe aktiviteteve të orientuara nga vetë individi, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të pavarur. John Dewey, ndërkaq, ishte një avokat i edukatës progresive, që e shihte arsimin si një proces të vazhdueshëm që duhej të përqendrohej në zhvillimin e aftësive të mendimit kritik dhe zgjidhjen e problemeve. Në të njëjtën periudhë, Paulo Freire zhvilloi një metodë edukative që synonte fuqizimin e të varfërve dhe të shtresave të margjinalizuara shoqërore përmes arsimit. Ai e konsideronte edukimin si një proces të dyanshëm, ku mësuesi dhe nxënësi janë të barabartë në krijimin e njohurive. Kjo qasje ndikoi drejtpërdrejt në edukimin për të drejtat e njeriut dhe barazinë shoqërore. Një tjetër ndryshim i madh që ndodhi gjatë shekullit XX ishte përhapja e masivizimit të arsimit, ku shumë shtete e bënë arsimin e detyrueshëm dhe falas për të gjithë fëmijët. Ky hap i rëndësishëm kishte si qëllim përgatitjen e qytetarëve për një shoqëri demokratike dhe pjesëmarrësit në të. Arsimi i lartë u bë gjithashtu më i aksesueshëm për një numër më të madh individësh, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e karrierave profesionale. Universiteti, rrjedhimisht, është vendi ku kuptohen dhe praktikohen metodologjitë shkencore, dhe kritikohen vlerat dominante të një shoqërie, nëse janë për t’u kritikuar, dhe zhvillohen studentë autonomë, jo vetëm në nivel shkencor por edhe në nivel politiko-social, domethënë, të aftë për të kritikuar politika dhe vlera sociale, të cilat, nëse janë kundër-prodhuese dhe të papërputhshme me vlerat më të larta njerëzore dhe shkencën, siç janë aktualisht, të ndryshohen me veprime konkrete. Për të mundësuar ndryshimin e vlerave dominante të shoqërisë, botëkuptimin (materialist) modern dhe shpërqendrimin e pushtetit, universiteti duhet të shoqërojë degët tekniko-shkencore me kritikë filozofike me qëllim që studenti të aftësohet për të vlerësuar objekivisht tekno-shkencën që studion nga një perspektivë kritike dhe filozofike dhe me këtë, të rrisë shkallën e autonomisë politike: sepse autonomia politike varet nga zhvillimi i virtyteve etikë dhe intelektualë.



