Kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po zhvillon një “luftë hibride” në Gjermani.
“Ai po zhvillon një luftë informative kundër nesh. Ai po zhvillon një luftë ushtarake kundër Ukrainës, dhe ajo luftë është gjithashtu e drejtuar kundër nesh,” deklaroi Merz për televizionin gjerman ntv.
Merz pretendoi se presidenti rus dëshiron të përmbysë rendin politik evropian.
“Pikërisht për këtë arsye ne e mbështesim Ukrainën,” shpjegoi Merz, duke shtuar se është në interes të Gjermanisë të mbrojë rendin e saj politik dhe shoqëritë e hapura, liberale në Evropë.
I pyetur nëse Putin po zhvillon luftë kundër Gjermanisë, Merz tha: “Ai po zhvillon një luftë hibride kundër nesh.”
Duke iu referuar incidenteve gjithnjë e më të shpeshta me dronë në Gjermani dhe në të gjithë Evropën, Merz tha: “Ne e njohim kërcënimin,” duke shtuar se Putin dëshiron të frikësojë dhe të mbjellë pasiguri.
“Nuk do të lejojmë të frikësohemi dhe do të mbrohemi në mënyrë efektive nga ky kërcënim,” tha Merz.
I pyetur nëse ka menduar t’i telefonojë Putinit, Merz u përgjigj se “sigurisht që ka menduar për këtë, por mund të shoh vetëm që çdo përpjekje për të biseduar me të përfundon menjëherë me sulme më të ashpra ndaj Ukrainës.”



