Shkupi shkëlqeu mbrëmë nën tingujt dhe vallet e popujve nga katër anët e globit, duke e kthyer Çarshinë e Vjetër në një qendër të gjallë kulture, plot ngjyra dhe emocione. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ndau përshtypjet e tij nga kjo natë e veçantë, duke theksuar fuqinë bashkuese të artit dhe traditave.
Statusi i plotë
Mbrëmë, në rrugicat prej guri të Çarshisë së Vjetër, u ndie fryma e botës që flet përmes kulturës. Ritmet dhe vallet e popujve nga katër anët e globit e mbushën Shkupin me jetë, me ngjyra dhe emocion të pastër. Ishte një mbrëmje e veçantë, ku traditat u shndërruan në ura, e arti u bë gjuhë e përbashkët.
Edicioni i 7-të i Festivalit Ndërkombëtar “Folk Fest Shkupi 2025” shpalosi një panoramë të jashtëzakonshme të pasurisë kulturore botërore, me pjesëmarrjen e ansambleve nga 15 shtete. Në atë skenë të hapur, në zemër të Çairit, u takuan ritmet e largëta me tingujt tanë të njohur; e çdo valle u bë një urë e padukshme që bashkoi njerëz me gjuhë të ndryshme, por me një pasion të përbashkët për artin.
I përgëzoj nga zemra të gjithë ata që mundësuan këtë festival të jashtëzakonshëm, organizatorët, artistët, qytetarët dhe të gjithë artdashësit që i dhanë shpirt këtij vizioni. Sepse kur kultura flet, gjithçka tjetër hesht. Dhe ajo që mbetet, është bukuria e të qenurit bashkë.






