Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se beson që lufta në Iran po i afrohet fundit, sipas fragmenteve nga intervista për “Foks Njuz” të publikuara paraprakisht.
“Mendoj se është afër fundit. Po. Dua të them, e shoh si diçka që është shumë afër përfundimit”, tha Tramp, sipas komenteve që mbrëmë në X i publikoi prezantuesja e “Foks”, Marija Bartiromo.
Trampi deklaroi se nëse SHBA-ja tërhiqet tani, Iranit do t’i duheshin 20 vjet për t’u rindërtuar. “Dhe nuk kemi mbaruar ende. Do të shohim çfarë do të ndodh”, tha ai, duke shtuar se beson se Irani është i interesuar të arrijë marrëveshje.
Më parë, Trampi bëri deklarata të paqarta për një raund të ri të mundshëm të negociatave, përderisa në konflikt aktualisht është në fuqi armëpushimi dyjavor, transmetoi DPA.
“Diçka mund të ndodhë në dy ditët e ardhshme në Islamabad”, tha ai në një intervistë telefonike për “Njujork Post”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Raundi i parë i bisedimeve midis SHBA-së dhe Iranit në kryeqytetin pakistanez përfundoi pa marrëveshje fundjavën e kaluar. Sipas raporteve të pakonfirmuara të medias, një takim tjetër mund të zhvillohet që nesër.



