Parlamenti i Kroacisë me 84 vota “për”, 30 “të përmbajtura” dhe 11 “kundër” sot i votoi ndryshimet e Ligjit për mbrojtje dhe shërbim në forcat e armatosura, me çka është mundësuar rikthimi i shërbimit të detyruar ushtarak nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Shërbimi i detyruar ushtarak në Kroaci ishte shfuqizuar në vitin 2008, ndërsa prej atëherë shërbehej vetëm vullnetarisht, por kishte interesim të ulët.
Ndryshimet e ligjit parashohin se shërbimi i detyruar ushtarak të zgjasë dy muaj, ndërsa atyre që kryejnë shërbimin shteti do tu paguajë pagë neto mujore prej 1.100 eurosh dhe shërbimi do të konsiderohet si stazh.
Shërbimi ushtarak do të jetë i detyruar për burrat prej 19 deri 30 vjet. Gratë janë të liruara nga shërbimi i detyruar ushtarak, por mund të aplikojnë për shërbim vullnetar.
Personat të cilët e kryejnë shërbimin ushtarak do të kenë prioritet gjatë punësimit në organet e administratës shtetërore dhe lokale, nëse kanë kushte të njëjta si kandidatët e tjerë.
Ligji parasheh shërbim ushtarak civil për ata të cilët kundërshtojnë ndërgjegjshëm, në Mbrojtjen civile të Ministrisë së Punëve të Brendshme ose në njësitë lokale në vendin e tyre të jetesës. Trajnimi përmes Mbrojtjes Civile do të zgjaste tre muaj në vazhdimësi, çdo ditë, ndërsa shërbimi në njësitë lokale të detyrimeve për mbrojtje kundër zjarrit dhe civile, menaxhim me mjedisin jetësor ose mirëmbajtje të rrugëve publike – katër muaj gjegjësisht pesë ditë pune nga tetë orë.
Ata të cilët do të vendosin për shërbim civil do të marrin kompensim më të vogël, ndërsa vendimin për këtë do ta marrë Qeveria.



