BallinaLAJMEBOTAOrban: Iluzioni i artë i Ukrainës po rrënohet, Hungaria nuk do ta...

Orban: Iluzioni i artë i Ukrainës po rrënohet, Hungaria nuk do ta financojë rrjetin e mafias ushtarake

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi sot se “iluzioni i artë i Ukrainës po rrënohet” dhe se Hungaria nuk do ta financojë “rrjetin e mafias ushtarake”, pas rastit të korrupsionit në sektorin e energjetikës në Ukrainë dhe dorëheqjes së ministrave.

“Është zbuluar rrjeti i mafias ushtarake me lidhje të panumërta me presidentin (e Ukrainës) Volodimir Zelenski. Ministri i Energjetikës tashmë ka dhënë dorëheqjen dhe i dyshuari kryesor është larguar nga vendi. Ky është një kaos në të cilin elita e Brukselit dëshiron të injektojë para te taksapaguesit evropianë, ku gjithçka që nuk është qëlluar në front përfundon në xhepat e mafias ushtarake. Çmenduri”, shkroi Orban në rrjetin X.

Ai theksoi se Hungaria nuk dëshiron të ketë “asnjë lidhje me të”.

“Ne nuk do t’i dërgojmë paratë e popullit hungarez në Ukrainë. Ato mund të përdoren shumë më mirë në vend: vetëm këtë javë dyfishuam pagesat për familjet kujdestare dhe miratuam pensionin e 14-të mujor”, theksoi ai.

Ai tha se pas rastit të korrupsionit në Ukrainë, Hungaria “sigurisht nuk do t’i nënshtrohet kërkesave financiare dhe shantazhit të presidentit ukrainas”.

“Është koha e duhur që Brukseli më në fund të kuptojë se ku shkojnë paratë e tyre në të vërtetë”, tha Orbani.

Dje Zelenski kërkoi dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, German Galushçenko dhe ministres së Energjetikës, Svetlana Grinçuk për shkak të korrupsionit në sektorin e energjetikës.

Sipas tij, këta ministra nuk mund të qëndrojnë në pozicionet e tyre, pasi çështja e besimit është thelbësore.

Operacioni i kryer nga Byroja kombëtare për luftë kundër korrupsionit të Ukrainës (NABU), zbuloi një skemë nga një organizatë kriminale që ndikoi në ndërmarrjet strategjike të sektorit shtetëror, përfshirë Energoatom.

Lajme te lidhura

spot_img