BallinaLAJMEMickoski: Tani për tani nuk ka rikonstruim të qeverisë

Mickoski: Tani për tani nuk ka rikonstruim të qeverisë

VMRO-DPMNE dhe koalicioni që udhëheq janë të sigurt. Ka shumicë të madhe në Parlament, ndërsa në zgjedhjet lokale fitoi 80 për qind të vendeve për kryetar të komunave, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Theksoi se rikonstruktim të Qeverisë tani për tani nuk do të ketë, ndërsa resorët e lira me të cilat drejtonte zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, do të plotësohen, për të cilat fjalën përfundimtare do ta japë ai si mandatar.

Lidhur me informacionet se pas largimit të Mexhitit si kryetar i Komunës së Çairit, partneri i koalicionit VLEN e ka propozuar Bekim Sali si zëvendëskryeministër të parë dhe se për ministër të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të emërohet person tjetër, Mickoski tha se ky ishte vendim i partnerit të koalicionit dhe se kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë hapësirë ​​në kabinetin qeveritar.

“Mirë, kjo nuk do të thotë se do të ketë resor më shumnë. Ky është një vendim i partnerit tonë të koalicionit. Kam një mendim të lartë për Bekim Salin. Absolutisht, këtu nuk duhet të kemi asnjë dilemë. Por kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë hapësirë ​​në kabinetin qeveritar”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit të një Qendre të re Kulturore në Komunën e Petrovecit.

Lidhur me çështjen e rikonstruktimit të Qeverisë, ai theksoi se janë të përqendruar në kongresin e rregullt të partisë, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Kavadar.

“Pastaj, normalisht, formimi i strukturës së partisë, komitetit ekzekutiv, komiteteve komunale, strukturave të tjera që janë brenda partisë. Dhe ndërkohë, ndërsa e gjithë kjo po ndodh, do të mendojmë për ndryshime të caktuara të kuadrit brenda qeverisë. Jam i gatshëm të flas me këdo. Absolutisht, nuk ka asnjë dilemë këtu brenda koalicionit. Por sigurisht, unë jam mandatar. Pra, është normale se fjalën e fundit, si mandatar i Qeverisë, do ta kem unë”, nënvizoi Mickoski.

Sipas tij, rikonstruktimi i Qeverisë nuk bëhet vetëm që të rkonstruohet, por  duhet të mendohet zgjidhja e re kadrovike të jetë më e mirë se ajo e mëparshmja.

“Është një proces i analizës serioze. Jam i gatshëm të ulem me të gjithë aktorët e Qeverisë të ulem dhe të bisedoj, t’i dëgjoj idetë e tyre. Por, sërish do ta them, mandatar i qeverisë jam unë”, theksoi Mickoski.

Në pyetjen nëse pas përfundimit të zgjedhjeve lokale ka pasur interes nga struktura të caktuara nga AKI për të qenë pjesë e qeverisë, kryeministri tha se menjëherë pas zgjedhjeve ka udhëtuar për në Bruksel dhe se deri më tani nuk ka folur me askënd për këtë temë.

“Epo, jo, unë menjëherë pas zgjedhjeve, në mëngjes udhëtova për në Bruksel, dje pasdite u ktheva, kështu që kjo është dita ime e parë e punës pas zgjedhjeve. Do të ketë një organizim, tani të shohim si do të shkojë, kështu që deri në këtë pikë nuk kam folur me askënd për asnjë temë që lidhet me Qeverinë”, shtoi Mickoski.

Ai përsëriti  që mos t’u besohet spekulimeve për ndërrimin e disa ministrave dhe pret që së shpejti për vendet e lira kadrovike të marrë emra.

Lajme te lidhura

spot_img