BallinaEkonomiMF do të paguajë obligacionin dhe interesin, po përgatitet prospekti për një...

MF do të paguajë obligacionin dhe interesin, po përgatitet prospekti për një të ri

Ministria e Financave sot duhet të kryej pagesën e obligacioneve dhe interesit për vitin e dytë të obligacionit qytetar të lëshuar për herë të dytë. Nga Ministria thonë se mjetet në vlerë prej 17,6 milionë eurosh dhe interesi në vlerë prej 880 mijë eurosh do të paguhen në llogaritë e qytetarëve.

Obligacionin e dytë qytetar, Ministria e Financave e lëshoi më 7 nëntor të vitit 2023, me afat të mbërritjes prej 2 vitesh dhe normë interesi prej 5 për qind në vit. Interesi nga ky obligacion qytetar për vitin e parë u pagua vitin e kaluar në nëntor, me ç’rast u pagua një shumë prej 54.274.000 denarësh ose 880 mijë euro.

Obligacioni qytetar, si një instrument i ri, u prezantua në vitin 2023 me qëllim që të pasurohet oferta e instrumenteve të rinj për financim në tregun financiar, si dhe të zgjerojnë burimet e financimit të politikave ekonomike.

Deri tani janë lëshuar 2 emetime me një vlerë të përgjithshme prej 41,1 milionë eurosh. Në emetimin e parë u regjistruan obligacione në vlerë prej 23,5 milionë eurosh, ndërsa në të dytin 17,6 milionë euro.

“Ministria e Financave do të vazhdojë me publikimin e emetimeve të reja të obligacioneve qytetare. Prospekti për emetimin e ri është në përgatitje dhe pritet të publikohet deri në fund të vitit. Gjegjësisht, në Ministrinë e Financave gjatë periudhës së kaluar është punuar në analizën e tregut financiar dhe trendeve në rajon dhe Evropë, me qëllim të diversifikimit të ofertës së instrumenteve financiare për investim, dhe tashmë po përgatitet emetimi i ri i Obligacionit qytetar”, thonë nga Ministria përkatëse.

Lajme te lidhura

spot_img