Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur nga Struga nisjen e fazës së parë të rindërtimit dhe zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit me gypa të rinj, duke eliminuar infrastrukturën ekzistuese prej çimentoje dhe azbesti, material i njohur për rrezikshmërinë e tij shëndetësore.
“Sot ndodhem në Strugë për një qëllim shumë të mirë. Fillojmë fazën e parë të rindërtimit dhe zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit prej çimentoje, azbesti. Duke pasur parasysh se azbesti është edhe kancerogjen, unë mendoj se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për një shëndet më të mirë”, deklaroi Mexhiti.
Projekti, që kap vlerën prej 90 milionë denarësh ose rreth 1.5 milionë euro, do të zgjasë 12 muaj dhe do të përfshijë rrugën kryesore si dhe 13 degëzime, me një gjatësi të përgjithshme prej 6.2 kilometrash.
Sipas Mexhitit, ky investim do të përmirësojë ndjeshëm kushtet higjienike në qytet, do të eliminojë rrezikun nga çlirimi i fibrave të azbestit dhe do të forcojë mbrojtjen e shëndetit publik.
“Ky projekt ka rëndësi të jashtëzakonshme për të siguruar ujë të pastër dhe të sigurt për qytetarët struganë dhe për përmirësimin e gjithë infrastrukturës së ujësjellësit në këtë komunë”, theksoi ai.
Zëvendëskryeministri shtoi se me zëvendësimin e gypave të vjetër me materiale moderne, jo vetëm që do të ulet rreziku nga ndotja, por do të rritet edhe kapaciteti dhe efikasiteti i sistemit të furnizimit me ujë në Strugë.
“Vazhdojmë me angazhimin dhe përkushtimin drejt ndërtimit të një mjedisi më të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm për të gjithë banorët e Strugës”, përfundoi Mexhiti.



