Partitë politike në Maqedoninë e Veriut po përshpejtojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë, ndërsa konturat e koalicioneve dhe listat e kandidatëve po qartësohen gjithnjë e më shumë, përcjell KDP.
Partia qeverisëse ZNAM konfirmoi se do të garojë e vetme në zgjedhje me kandidatët e saj për kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh. Zëdhënësi i partisë, Nikola Memov, bëri të ditur se janë në fazën përfundimtare të negociatave me VMRO-DPMNE-në për mbështetje të ndërsjellë në disa komuna.
“Në komunat ku ZNAM do të ketë kandidat për kryetar komune, ai do të mbështetet nga VMRO-DPMNE, e cila nuk do të garojë atje. Bëhet fjalë për marrëveshje të plotë që përfshin Kumanovën, disa komuna të Shkupit dhe disa më të vogla në vend”, tha Memov.
Nga ana tjetër, LSDM njoftoi se nuk do të garojë me kandidatë për kryetarë komunash në shtatë komuna me shumicë shqiptare – Saraj, Çair, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe Zhelinë – por do të ketë vetëm lista këshilltarësh. Nuk është bërë e ditur nëse dhe cilën palë do të mbështesin në këto zona.
“Vendimi është marrë në bazë të analizave dhe përvojës së mëparshme, dhe në koordinim me degët lokale”, deklaroi zëdhënësja e SDSM-së, Bogdanka Kuzevska.
Partia e udhëhequr nga Venko Filipçe ka shpallur tashmë 19 kandidatë, përfshirë edhe disa kryetarë aktualë komunash si në Qendër, Krushevë, Çuçer Sandevë, Berovë, Rosoman dhe Kriva Pallankë.
Edhe ZNAM ka paralajmëruar kandidatë për Qendrën e Shkupit, ndërsa pritet që lideri i saj, Maksim Dimitrievski, të kandidojë sërish për Kumanovën.
VMRO-DPMNE tashmë ka shpallur disa kandidatura, ndërsa për kryetarin e Shkupit emri pritet të zbulohet në mesin e korrikut. Si kandidatë të mundshëm përmenden kryetari aktual i komunës Kisella Vodë, Orce Gjorgjievski, dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski.
Në bllokun shqiptar, koalicioni VLEN ka hapur shtabin qendror në Sheshin Skënderbej në Shkup, por ende nuk ka shpallur kandidatët për kryetarë komunash.
“Këto nuk janë zgjedhje të zakonshme lokale, por zgjedhje për t’i kthyer dinjitetin komunave”, deklaroi Bilall Kasami nga VLEN. Ndërsa Izet Mexhiti tha se bashkimi i partive shqiptare krijon konkurrencë reale dhe shmang ndarjen e votës shqiptare.
Nga BDI njoftojnë se koalicioni “Fronti Evropian” pritet të zgjerohet dhe ndoshta të riemërtohet në “Fronti Kombëtar”. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konfirmoi se po zhvillohen bisedime edhe me bllokun opozitar shqiptar, përfshirë Arben Taravarin, për një platformë të përbashkët.
“Çështja nuk është nëse do të bashkohet z. Taravari, por si do të koordinohen aktivitetet”, tha Ahmeti. Ai përsëriti thirrjen për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare njëkohësisht me ato lokale, duke theksuar se pret një epilog pozitiv për këtë çështje.
Ndërkohë, VMRO-DPMNE kritikoi SDSM-në për listën e kandidatëve, duke akuzuar se janë imponuar nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe se do t’i sjellin humbje partisë.
“Asnjë kandidat kredibil dhe asnjë kuadër që sjell vlerë të shtuar. Zaev i ka diktuar Filipçes emrat, dhe me këtë SDSM po shkon drejt humbjes së sigurt”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.



