BallinaLAJMELigji e betonon frymën e Marrëveshjes së Ohrit!

Ligji e betonon frymën e Marrëveshjes së Ohrit!

Është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe është dashur të sillet që nga viti 2003/2004, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në lidhje me Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Sa i përket kritikave të opozitës shqiptare, Mexhiti tha se pikërisht në kohën e tyre është propozuar shfuqizimi i Balancuesit.

“Shoh që janë reagimet në atë frymën do të luftojmë deri sa ta kthejmë Balancuesin, pikërisht ata që e kanë eliminuar Balancuesin si mekanizëm në qeverinë Kovaçevski, të gjithë ministrat pra kanë votuar që të hiqet Balancuesi, edhe ministrat shqiptarë që kanë qenë në qeverinë Kovaçevski”, tha mes tjerash Mexhiti në konferencën për arritjet në njëvjetorin e qeverisjes. Mexhiti tha se pikërisht përbërja e Gjykatës Kushtetuese që u votua nga qeveria e kaluar, shfuqizoi Balancuesin.

“Për herë të parë kjo çështje zgjidhet në mënyrë ligjore, me ligj të posaçëm që duhet të kalojë në qeveri, që e operacionalizon të drejtën e përfaqësimit adekuat të bashkësive etnike, dhe mendoj që kjo e betonon frymën e Marrëveshjes së Ohri dhe e avancon çështjen e përfaqësimit”, theksoi Mexhiti.

Në ndërkohë, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka thënë se në vitin e parë të Qeverisë, VLEN e riktheu rendin dhe ligjin, financoi projekte rekord në komunat shqiptare, lehtësoi lëvizjen me Kosovën dhe realizoi ose filloi realizimi i më shumë se 250 projekteve. “Vazhdojmë edhe me më shumë vrull dhe motivim drejt zbatimit të plotë të programit qeveritar dhe programit të VLEN-it në 3 vitet e ardhshme. Themelet e ndryshimit i hodhëm këtë vit të parë të qeverisjes. Tani fillon ndërtimi i një shteti ligjor, të fuqishëm e i barabartë për të gjithë”.

Fetai ka ndarë edhe Planin Vjetor të punës të kabinetit të tij për vitin 2025, në cilësinë e zëvendëskryeministrit për Politikat e Qeverisjes së Mirë. “Ky plan, rezultat i një pune të përbashkët dhe përkushtimi, synon të ngrisë standardet e demokracisë, ta rikthejë besimin e qytetarëve te institucionet dhe ta forcojë luftën kundër korrupsionit. Plani bazohet në prioritetet e Programit të Punës së Qeverisë 2024-2028 dhe përcakton katër prioritete kyç: Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit; Forcimin e kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskimin e aseteve të paligjshme; Avancimin e transparencës dhe efikasitetit të institucioneve; si dhe thellimin e dialogut strategjik me sektorin civil”.

Lajme te lidhura

spot_img