BallinaLAJMEShqipëriZ. Rama, për çfarë duhet t’i jemi “mirënjohës” ambasadores izraelite?

Z. Rama, për çfarë duhet t’i jemi “mirënjohës” ambasadores izraelite?

Në përmbyllje të misionit të saj diplomatik në Tiranë, ambasadorja e Izraelit, Galit Peleg, është nderuar nga kryeministri Edi Rama me “Medaljen e Mirënjohjes Publike”.

Ky vlerësim shtetëror i akorduar nga kreu i qeverisë shqiptare u prezantua si një akt nderimi për bashkëpunimin dypalësh, por prapa protokollit zyrtar fshihet një vendim që ngre pikëpyetje të mëdha morale dhe politike.

Për çfarë “kontributi të jashtëzakonshëm” duhet t’i jetë mirënjohës populli shqiptar një diplomateje që gjatë gjithë mandatit të saj përfaqësoi pa kushte një shtet dhe qeveri që akuzohet botërisht nga instancat më të larta ndërkombëtare për gjenocid në Gaza dhe, së fundmi, për spastrim etnik në Bregun Perëndimor?

Peleg nuk kreu thjesht detyrën zyrtare si diplomate. Ajo u shfaq në publik si një mbrojtëse fanatike e ideologjisë ekstremiste të Sionizmit, duke arsyetuar e legjitimuar pa asnjë lëkundje krimet e ushtrisë izraelite ndaj popullsisë civile palestineze me dhjetëra mijëra viktima të pafajshme.

Ky nderim në emër të qeverisë shqiptare, përbën një fyerje të rëndë për ndërgjegjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Qytetarët e këtij vendi, pa dallim bindjesh politike apo besimi fetar, janë të tmerruar nga kasaphana që ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë në Palestinë.

Të dekorosh mbrojtësen politike të kësaj tragjedie, do të thotë të snobosh tërësisht ndjeshmërinë njerëzore dhe traditën humanitare të popullit tënd, vetëm për të përmbushur kalkulime e interesa private gjeopolitike.

Shqiptarët kanë mbrojtur çdo popull të shtypur në histori, por kurrë nuk kanë qenë në anën e apologjetëve të dhunës brutale shtetërore.

Kryeministri nuk mund ta përdorë emrin e Shqipërisë për të lavdëruar përfaqësuesen e një regjimi që po përballet me dënimin më të ashpër moral e juridik global.

Ky akt nuk është diplomaci dinjitoze, por një nënshtrim dhe pandjeshmëri e skajshme ndaj vuajtjes njerëzore, duke e larguar qeverinë nga parimet bazë të të drejtave të njeriut.

Lajme te lidhura

spot_img