Protesta qytetare në kryeqytet ka hyrë sot në ditën e saj të 78-të, duke u shndërruar në një prej lëvizjeve më të gjata dhe më të qëndrueshme të viteve të fundit në Shqipëri. Qytetarët vijojnë të grumbullohen përpara godinës së Kryeministrisë me kërkesat kryesore për ndryshim politik, rritje të transparencës dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
E emërtuar nga organizatorët si “Revolucioni i Flamingove”, kjo lëvizje prej javësh ka mbajtur të gjallë reagimin qytetar përmes marshimeve, tubimeve dhe qëndresës ditore. Në fokus të denoncimeve të protestuesve mbeten niveli i korrupsionit në vend, rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës dhe mungesa e llogaridhënies në vendimmarrjen publike.
Pavarësisht kohëzgjatjes, thirrjet për pjesëmarrje masive në shesh po intensifikohen. Organizatorët synojnë një përshkallëzim të pjesëmarrjes gjatë ditëve të ardhshme, ku pritet të bashkohet edhe diaspora. Tubimet e paralajmëruara për datat 14, 15 dhe 16 gusht pritet të mbledhin një numër të madh protestuesish në sheshet kryesore të Tiranës. Nga ana e tyre, organizatorët shprehen të vendosur për të mos hequr dorë nga qëndresa, duke deklaruar se protesta do të vijojë pa ndërprerje deri në plotësimin e plotë të kërkesave të tyre politike dhe sociale.



