BallinaLAJMEShqipëriRama akuzon Rusinë dhe Iranin për protestat, Moska i përgjigjet: “Janë qytetarët...

Rama akuzon Rusinë dhe Iranin për protestat, Moska i përgjigjet: “Janë qytetarët tuaj në rrugë, mos ua hidhni fajin të tjerëve!”

Akuzave të kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e Rusisë dhe Iranit në protestat që kanë përfshirë Shqipërinë u është përgjigjur Moska, përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Në një reagim të shpërndarë nga Ambasada Ruse në Tiranë, Zakharova i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit shqiptar, duke kundërshtuar pretendimin se pas protestave qëndrojnë forca të huaja që synojnë të pengojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Jo, Edi Rama, janë qytetarët e vendit tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë dhe ju nuk duhet t’ua hidhni fajin të tjerëve. Zgjidhini vetë problemet tuaja të brendshme”, thuhet në deklaratën e Zakharovës.

Reagimi vjen në ditën e gjashtë të protestave në Shqipëri, të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndërsa tensionet janë përhapur në disa qytete të vendit.

Përgjigjja e Moskës e zhvendos përplasjen edhe në planin diplomatik. Rusia mohon përfshirjen e saj dhe ia atribuon protestat pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë, ndërsa pretendimi për ndërhyrje të huaj mbetet një çështje që kërkon prova dhe verifikim të pavarur.

Lajme te lidhura

spot_img