Stafa përfundoi në paraburgim për marrje ryshfeti, por Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila hapi hetim ndaj Stafës për “marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, nuk dha detaje se kush e ka denoncuar atë dhe nëse një pjesë e parave ka përfunduar te ndonjë gjyqtar.
Ish Avokati i Shtetit, Fehmi Stafa, “ra” me një ryshfet prej 20 mijë eurosh si avokat i Ljupço Pecov i njohur me emrin “Djalli”, por nuk ra edhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, të cilin Stafa supozohej se duhej ta korruptonte. Sipas akuzave, ai kishte kërkuar 100 mijë euro dhe kishte marrë gjithsej 50 mijë, për të siguruar që Pecov “Djalli”, i cili gjykohej në rastin “Zinxhiri” dhe ishte në arrati, të lirohej nga paraburgimi. Stafa përfundoi në paraburgim për marrje ryshfeti, por Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila hapi hetim ndaj Stafës për “marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, nuk dha detaje se kush e ka denoncuar atë dhe nëse një pjesë e parave ka përfunduar te ndonjë gjyqtar.
Në ndërkohë, Gjykata e Apelit doli me njoftim se ankesa për të cilën Stafa kishte premtuar se do të pranohej – dhe për të cilën kishte marrë para, në fakt ishte refuzuar njëzëri nga gjykata e shkallës së dytë. Vendimi është marrë në fillim të këtij muaji.
“Këshilli penal i Gjykatës së Apelit Shkup, me aktvendimin KSGJ-1214/25 të datës 02.12.2025, njëzëri e refuzoi ankesën e të dyshuarit Ljupço Pecov nga Negotina dhe e konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale Shkup, me të cilin është refuzuar propozimi për heqjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimin e saj me garanci. Vendimi për vazhdimin e paraburgimit mbetet në fuqi mbi të gjitha bazat e nenit 165 paragrafi 1 pika 1, 2 dhe 3 të LPP-së, duke llogaritur nga momenti i kapjes dhe arrestimit. Garancia e ofruar, në rrethana kur paraburgimi është caktuar edhe mbi bazën e pikës 2 (‘ekziston frikë e bazuar se i dyshuari do të fshehë, falsifikojë ose shkatërrojë gjurmët e veprës penale ose se do të ndikojë mbi dëshmitarët, ekspertët, bashkëpunëtorët ose fshehësit’), nuk është e lejueshme dhe si e tillë nuk ka qenë objekt shqyrtimi nga gjykata”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Stafa u kap të shtunën duke marrë 20 mijë euro, ndërsa që nga tetori e këtej kishte marrë gjithsej 30 mijë euro.
“Fillimisht, i dyshuari kishte kërkuar 100.000 euro për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit për një person të pakapshëm nga organet e ndjekjes, ndaj të cilit Prokuroria dhe Gjykata po zhvillonte procedurë për vepra penale financiare dhe ekonomike. Më 06.10.2025 kishte marrë 30.000 euro nga motra e personit në arrati. Më 13.12.2025 kishte kërkuar dhe marrë edhe 20.000 euro shtesë që pretendonte se do t’ia jepte gjyqtarit. Menjëherë pas marrjes së parave, i dyshuari u arrestua dhe tek ai u gjetën mjetet”, njoftoi Prokuroria.
Mediat disa muaj më parë kishin raportuar se Stafa kishte kërkuar nga Gjykata Penale t’i zëvendësohej paraburgimi dhe kishte ofruar garanci pasuri të paluajtshme në emër të Ljupço Pecov “Djalli”. Prokuroria kishte konstatuar përmes kamerave se Pecov, i cili zyrtarisht rezultonte në arrati dhe ndaj të cilit nuk ishte ngritur aktakuzë, lëvizte lirshëm, vizitonte spitale dhe noteri – pavarësisht urdhër-arrestit ndërkombëtar aktiv. Gjykata Penale e refuzoi kërkesën e Stafës, ndërsa lënda qëndroi në Apel me muaj të tërë.
Ndryshe, Stafa u shkarkua nga posti i Avokatit të Shtetit në vitin 2022, pasi dha dorëheqje të parevokueshme. Ai më herët kishte pasur përplasje me ish-prokurorët e PSP-së, Gavil Bubevski dhe Artan Ajro, rreth moskonfiskimit të pasurisë së biznesmenit Seat Koçan. Ish-qeveria kishte premtuar se konfiskimi do t’i siguronte shtetit mbi 14 milionë euro. Këshilli Gjyqësor, dy vjet më parë, kishte konstatuar shkelje në procedurat e konfiskimit, çka kishte bërë që një pjesë e pasurisë së lëndës “Transmet”, të përfshirë në rastin “Trust”, të shitej para se ta merrte shteti. (koha.mk)



