Në mbledhje qeveritare nesër pritet të shqyrtohet çështja për çmimet e larta të produkteve ushqimore dhe nëse shteti do të marrë hapa për kontrollin e tyre, pas bojkotit të qytetarëve për blerje në markete gjatë dy javëve të kaluara.
Në mbledhjen e nesërme të qeverisë, siç deklaroi javën e kaluar kryeministri Hristian Mickoski, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Ministria e Ekonomisë duhet të dërgojnë raport dhe se janë të mundshme masa lidhur me kontrollin e çmimeve.
Nuk e përjashtoi mundësinë që të miratohen masa në mbledhjen e nesërme, edhe pse, siç tha, shpresojnë se përmes dialogut do të gjendet zgjidhje e përbashkët.
“Nëse shohim që njëra palë nuk po e respekton marrëveshjen, atëherë si qeveri do të duhet të ndërhyjmë. Ne nuk duam të bëjmë politikë me ndërhyrje, ne duam të arrijmë një zgjidhje të përbashkët përmes dialogut. Ne u përpoqëm para Vitit të Ri, por ju e dini se si përfundoi, u thye besimi ndërmjet Qeverisë dhe tregtarëve”, shtoi Mickoski.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi të enjten në konferencë për media tha se vijojnë kontrollet e distributorëve, furnitorëve, prodhuesve dhe tregtarëve.
“Mbikëqyrje bëhet ndaj gjithë procesit, kontrollohet edhe sa është marzha e vendosur nga tregtarët për periudhë prej gjashtë muaj, nëse aty është prekur dhe në bazë të atij raporti nga Inspektorati, si Qeveri do të ndërmarrim masa adekuate”, theksoi Durmishi.
Gjatë dy javëve të kaluara të premten përmes rrjeteve sociale ishin thirr që t’i bojkotojnë zinxhirët e mëdhenj tregtarë për shkak të çmimeve të larta të produkteve themelore ushqimore. Aksioni i parë tregoi se qarkullimi në tetë zinxhirët më të mëdhenj tregtarë ishte ulur për gati 50 për qind, ndërsa bojkoti i dytë të premten e kaluar kishte rënë për 22,12 për qind.
Bojkoti për blerje filloi në Kroaci, ndërsa u zgjerua edhe në shtetet e tjera të rajonit. Në Serbi qytetarët u thirrën që t’i bojkotojnë pesë zinxhirët më të mëdhenj tregtarë.



