Partitë politike janë përballë një përpjekje tjetër për të zhbllokuar procesin e ngecur për ndryshimin e Kodit zgjedhor. Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari ka ftuar në takim aktorët politik që nisën bisedimet muaj më parë, për nesër në ora 11.
Pjesëmarrjen për Alsat e konfirmuan VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i, BDI-ja dhe E Majta. Procesi ngeci muaj më parë me 13500 amendamente të dorëzuara nga LSDM-ja dhe e Majta. Propozimi i pushtetit përfshinte rekomandimet e OSBE-ODIHR-së, ndryshime teknike në monitorimin e procesit zgjedhor dhe shqyrtimin e ankesave si dhe votim online të diasporës.
LSDM-ja mbetet në qëndrimin kategorik kundër votimit të diasporës në mënyrë elektronike. Lidhja Socialdemokrate e kundërshtoi kategorikisht këtë propozim, duke argumentuar se votimi elektronik dhe ai me postë mund të krijojnë rrezik për manipulime dhe cenim të integritetit të procesit zgjedhor.
E Majta ka kundërshtuar gjithashtu modelin e votimit të diasporës të propozuar nga pushteti dhe ka dy kërkesa të rëndësishme: një njësi zgjedhore dhe ndryshime në reklamimin politik.
Ndërkaq BDI-ja ishte shprehur pro votimit të diasporës në mënyrë elektronike mirëpo me mekanizma të qartë mbrojtës ndaj manipulimit të votës.
Por më 15 korrik, Maqedonia humbi trenin e fundit për realizimin e reformës zgjedhore për të cilën, në rast se do të ishte miratuar në kohë, vendi do të kishte marrë 4.2 milion euro para evropiane nga plani i rritjes./Alsat.mk



