Si të zbatohen reformat me qëllim që të hiqet partizimi që çdo pushtet, në mënyrën e vet, e ka futur në administratë. Ministri Goran Minçev, në nënshkrimin e sotëm të memorandumit me ambasadorin francez, Christophe Le Rigoleur, tha se këto punësime kanë sjellë një administratë të madhe por të dobët. Për këtë arsye, ai konsideron se duhet të ketë shfuqizim të disa prej bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese, pra një shkurtim prej 40 për qind të administratës.
“Sa i përket trajnimit të shërbyesve publikë, ekzistojnë shumë sfida sepse ata duhet të jenë profesionistë, pasi bëhet fjalë për qeverisjen e shtetit, njohuritë nga fushat juridike dhe gjithashtu menaxhimin. Një shërbyes shtetëror duhet të jetë një lloj menaxheri, pra të dijë me aftësi të udhëheqë të gjithë ekipin e tij, por gjithashtu të jetë në gjendje të zbatojë vendimet që vijnë nga qeveria,” tha Christophe Le Rigoleur, ambasador i Francës.
Rigoleur njëkohësisht tha se zbatimi i reformave në vend ndiqet nga afër nga Bashkimi Evropian dhe se së shpejti do të publikohet Raporti i Progresit për të gjitha shtetet kandidate për anëtarësim. Ai theksoi se reformat që i kërkon BE-ja nuk duhet të shihen si detyrim, por si diçka që do ta përmirësojë jetën në vend.



