Ministria e Punëve të Brendshme informon opinionin publik se gjatë periudhës së fundit është vërejtur dukuria e sulmeve të tipit ‘phishing’, të cilat kryhen përmes mesazheve të rreme SMS, e-maileve, ueb-faqeve, aplikacioneve mobile dhe mesazheve në rrjetet sociale.
Mesazhet e rreme pretendohet se dërgohen nga Departamenti i Automjeteve Motorike si njoftime nga sistemi “Qyteti i Sigurt” dhe përmbajnë një ‘link’ të rreme, përmes së cillit qytetarët ridrejtohen për të kryer pagesë për kundërvajtje të supozuar rrugore.
“U bëjmë apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapin linqe dhe mesazhe të dyshimta, të mos ndajnë kurrë të dhëna personale, siç janë: numrat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo identifikues të tjerë personalë përmes kanaleve të paautorizuara, të verifikojnë adresën e dërguesit – institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare – të përdorin autentifikimin dy faktorësh (2FA) për mbrojtje shtesë të llogarive të tyre dhe të raportojnë mesazhet e dyshimta tek institucionet kompetente ose në bankën përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Njoftimet SMS për kundërvajtje të kryer duhet të vijnë nga dërguesi “MVR-SC”. Teksti duhet të përmbajë detyrimisht targën e regjistrimit të automjetit që ka kryer kundërvajtjen dhe linkun në formatin vijues: https://safecountry.mvr.gov.mk…
“Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme vazhdon me hetime aktive dhe ndërmerr masa për zbulimin dhe ndëshkimin e kryerësve të këtij lloji të mashtrimeve”, thuhet në fund të njoftimit.



