BallinaLAJMEMaqedoniMartesa duhet të jetë zgjedhje, jo detyrim tatimor – reagojnë nga Rrjeti...

Martesa duhet të jetë zgjedhje, jo detyrim tatimor – reagojnë nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi e dënon ashpër deklaratën e kryeministrit Mickoski për taksimin e të pamartuarve: “Një kërcënim serioz ndaj të drejtave të njeriut dhe barazisë”

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së sotme të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili gjatë ngjarjes “Trendet demografike, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme” tha se qeveria po shqyrton seriozisht mundësinë e vendosjes së tatimeve shtesë për qytetarët e pamartuar.

Duke e vlerësuar këtë deklaratë si thellësisht shqetësuese, nga Rrjeti theksojnë se ajo përbën një kërcënim serioz për të drejtat themelore të njeriut dhe parimet e barazisë dhe lirisë.

“Një masë e tillë nuk është vetëm regresive, por edhe diskriminuese, sepse cenon të drejtat themelore të njeriut – të drejtën e zgjedhjes, të jetës private dhe familjare, të drejtën për të planifikuar familjen, për stil jete, status familjar dhe të ardhmen individuale,” – thuhet në reagimin e tyre.

Rrjeti vlerëson se masa stigmatizon të gjithë ata që nuk jetojnë në bashkëjetesë martesore, qofshin nga zgjedhja apo për arsye të tjera, duke goditur të rinjtë, prindërit e vetëm, personat LGBTI+ dhe kategoritë socialisht apo ekonomikisht të cenueshme.

“Një nismë e tillë nuk kontribuon në zhvillimin e shoqërisë, por përkundrazi, hap derën për ndarje të reja, stigma dhe pabarazi.”

Ata rikujtojnë se neni 25 i Kushtetutës garanton respektimin dhe mbrojtjen e jetës private dhe familjare të çdo qytetari, si dhe dinjitetin dhe reputacionin personal, ndërsa vetë Kushtetuta njeh dhe mbron edhe bashkëjetesën jashtëmartesore.

“Kjo propozim-masë korrespondon me ide të ardhura nga regjime autoritare, që përmes narrativave regresive synojnë të rrisin natalitetin me imponim. Në vend të ndëshkimit të zgjedhjeve personale përmes sistemit tatimor, nevojiten politika që mbështesin familjet e reja, çerdhe të qasshme, punësim të sigurt, barazi gjinore dhe liri në zgjedhjen e partneritetit dhe prindërimit,” – thuhet më tej në deklaratë.

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi i bën thirrje Qeverisë që të përmbahet nga iniciativa që nxisin diskriminim dhe institucioneve që të mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim statusi martesor.

“Stili i jetesës nuk mund të jetë bazë për tatim. Martesa duhet të jetë zgjedhje, jo detyrim fiskal,” përfundon reagimi.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se Qeveria po e shqyrton seriozisht mundësinë për të vendosur tatime shtesë për qytetarët që nuk janë të martuar. Ai këtë e bëri të ditur gjatë debatit me temë “Trendet demografike, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme”, i cili u mbajt sot në sallën solemne të Qeverisë.

Paralajmërimi për vendosjen e mundshme të tatimeve shtesë për këtë kategori qytetarësh u parapri nga deklaratat e Mickoskit për sfidat demografike në vend dhe rënien e natalitetit nga viti në vit.

Lajme te lidhura

spot_img