Sindikalistët e Kulturës së Maqedonisë kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese të shtyjë vendimmarrjen për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes Kolektive për Kulturën dhe nenit 78 të Ligjit për Kulturën, derisa t’u mundësohet prezantimi i argumenteve të tyre. Kryetarja e Sindikatës, Vera Atanasovska, tha se seanca për shqyrtimin e kësaj lënde është caktuar për të premten, më 27 nëntor, por pavarësisht dy kërkesave me shkrim, sindikata ende nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë. Ajo kërkon mbajtjen e një debati publik para marrjes së vendimit.
“Në përputhje me Aktin e Gjykatës Kushtetuese, të miratuar në qershor të vitit 2024, kërkojmë mbajtjen e një seance publike para marrjes së vendimit. SKRM kërkon që Gjykata Kushtetuese të mos marrë vendim për lëndën para se t’u mundësohet pjesëmarrësve në procedurë t’i paraqesin argumentet e tyre dhe të dëgjohen. Kërkesën e bazojmë në argumentet e mëposhtme: Marrëveshja Kolektive për Kulturën, e lidhur nga Ministria e Kulturës, SKRM-ja dhe SАSHK-u, në përputhje me nenin 27 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, e ka vendosur nënshkruesin e aktit të kontestuar si pjesëmarrës në procedurë”, tha Vera Atanasovska, kryetare e SKRM-së.
Nga sindikata paralajmërojnë se shfuqizimi i Marrëveshjes Kolektive mund të nënkuptojë humbjen e të drejtave tashmë të përcaktuara për mijëra të punësuar në kulturë. Nëse vendimi merret pa pjesëmarrjen e tyre, paralajmërojnë se do të informojnë institucionet ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatikë në vend. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese njoftoi se lënda për kontestimin e nenit 78 të Ligjit për Kulturën dhe Marrëveshjes Kolektive për Kulturën është vendosur në rend dite për seancën e 27 nëntorit dhe tashmë ndodhet në fazën e votimit. Nga Gjykata theksojnë se për lëndët aktuale, për të cilat pritet të merret vendim, nuk komentojnë publikisht argumentet juridike dhe nuk paragjykojnë rezultatin e procedurës. Gjithashtu, Gjykata u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë pavarësinë e saj të garantuar me Kushtetutë dhe të lejojnë që procesi i vendimmarrjes të zhvillohet pa pengesa, presione apo ndikime të çfarëdo forme.



