Partia opozitare maqedonase LSDM, në një kumtesë për media thotë se “pas një jave të tërë nga njoftimi i sekuestrimit të 5 tonëve drogë nga Maqedonia në Serbi, nuk ka përgjigje për pyetjen kryesore: si kaluan 5 tonët drogë kufirin e Maqedonisë?”.
Nga LSDM thonë se “si është e mundur që 5 tonë drogë të largohen nga qendra e Shkupit dhe “lehtësisht të padukshme” të kalojnë kufirin dhe të nisen për në Serbi”.
“Ku janë kamerat e “Qytetit të Sigurt”? Ku ishte policia? Ku ishte Dogana Mobile? Pse nuk kishte kontrolle? Çfarë po bënin DSK dhe AR? Është e qartë për të gjithë se pa mbështetje dhe logjistikë nga maja e qeverisë, është e pamundur të kontrabandohen 5 tonë drogë. Kemi parë nga mediat se rasti në Serbi është i lidhur me partinë simotër të VMRO-SNS, si dhe me zyrtarë shtetërorë”.



