Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar lidhur me situatën me ujin në Gostivar, ku ndalesa për përdorimin e ujit për pije dhe gatim vazhdon të jetë në fuqi.
Nga LSDM thonë se qytetarët ende nuk kanë marrë informacion të plotë dhe të dokumentuar për gjendjen e ujit dhe kërkojnë që institucionet kompetente të publikojnë rezultatet e analizave dhe vlerësimet për cilësinë e tij.
“Për më shumë se katër javë Gostivari është pa ujë të pastër. Më shumë se 4.700 qytetarë kanë kërkuar ndihmë në spital dhe është shpallur epidemi e verdhëzës. Deri më sot, sipas nesh, nuk është publikuar një vlerësim i plotë dhe i nënshkruar nga institucionet kompetente për gjendjen e ujit”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga LSDM kërkojnë gjithashtu që të bëhen publike informacionet lidhur me analizat laboratorike, procesin e pastrimit të rrjetit të ujësjellësit dhe masat që po ndërmerren për rikthimin e ujit të sigurt për konsum.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, deklaroi se cilësia e ujit në Gostivar është duke u përmirësuar, por se uji ende nuk lejohet të përdoret për pije.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi në një intervistë televizive se rezultatet e analizave të ujit të pijshëm në Gostivar pritet të publikohen deri më 20 gusht.
Deri në marrjen e rezultateve të nevojshme, udhëzimet e Komitetit Drejtues, të kryesuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mbeten që uji nga rrjeti i qytetit të përdoret vetëm për nevoja teknike.



