Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në vend.
Mikpritës i tij do të jetë kryeministri Hristijan Mickoski, i cili së bashku me ministrat do ta presë Plenkoviqin në aeroportin e Ohrit “Shën Apostull Pali” rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm.
Pas pritjes, është parashikuar një takim “kokë më kokë” mes Mickoskit dhe Plenkoviqit në vilën kryeministrore në Ohër, ndërsa rreth orës 11:15 është paralajmëruar takimi dypalësh qeveritar, i cili do të mbahet në hotelin “Inex Olgica”.
Sipas agjendës, më pas është parashikuar që Mickoski dhe Plenkoviq të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim strategjik mes dy vendeve, ndërsa Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Ekonomisë së Kroacisë do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi.
Konferenca e përbashkët për shtyp e Mickoskit dhe Plenkoviqit është caktuar për në orën 12:30.
Gjatë qëndrimit të kryeministrit Andrej Plenkoviq dhe delegacionit kroat në Maqedoninë e Veriut, është parashikuar gjithashtu të zhvillohet edhe një takim biznesi mes pronarëve të kompanive nga të dyja shtetet. (INA)



